Një qytetare ka denoncuar një rast të mbajtjes së komisioneve të tepruara nga Union Bank në Pogradec, gjatë tërheqjes së parave nga bankomati.
Ajo ka shpërndarë përvojën e saj për JOQ, duke treguar se ka tërhequr një shumë prej 500,000 lekësh, por në llogarinë e saj janë zbritur 583 euro, një shumë dukshëm më e madhe se komisioni që kishte pritur.
Sipas qytetares, banka e saj gjermane, Sparkasse, e ka informuar se komisioni për transaksionin ishte vetëm 11.75 euro. “Nuk e kuptoj pse më është mbajtur një komision kaq i madh. Mendoj se kjo është një formë vjedhjeje,” ka thënë ajo. Ajo shton se bashkëshorti i saj, kur kishte përdorur bankomatin për tërheqjen, ishte informuar se komisioni do të ishte vetëm 8 euro. Por, pas përfundimit të transaksionit, shuma që u zbrit nga llogaria e tij ishte shumë më e madhe.
Kur qytetarja kërkoi sqarime për këtë diferencë të dukshme, ajo tha se përgjigja që mori ishte në anglisht dhe e paqartë. Banka i tha se nuk ishin përgjegjës për këtë rritje të komisionit, pasi shuma e kërkuar për këmbimin valutor ishte treguar në momentin e tërheqjes.
Ky rast ka ngritur shqetësime për transparencën dhe politikat e komisioneve që aplikojnë bankat në Shqipëri, veçanërisht për klientët e huaj dhe ata vendas që përdorin karta ndërkombëtare për transaksione.


