Në Itali, rajoni më i goditur nga koronabvirusi, është dhe më i
pasuri i vendit, Lombardia. Por aty ndodhet një qytezë me njëmijë banorë
ku askush nuk është prekur nga koronavirusi.

Lajmi po bën xhiron e mediave italiane dhe më gjerë, pasi në Ferrera
Erbognone nuk është identifikuar asnjë person i prekur nga virusi i
rrezikshëm, raporton Corriere della Sera.

Ferrera Erbognone gjendet në provincën Pavia dhe fakti që atje nuk ka
asnjë të infektuar, ka nxitur ekspertët e autoritetit shëndetësor
shtetëror që të nisin ekipe në terren për të analizuar gjakun e
banorëve.

“Ky është një rast i jashtëzakonshëm, i cili ka detyruar ekspertët ta
bëjnë atë edhe objekt studimi. Instituti Neurologjik Mondino i Pavias
vendosi të ekzaminojë gjakun e banorëve për të identifikuar praninë e
antitrupave”, – tha sot, drejtori i përgjithshëm i Institutit
Neurologjik, Livio Tronconi.

“Ne kemi zgjedhur të ekzaminojmë gjakun e banorëve në Ferrera
Erbognone, sepse është një komunitet në të cilin ende nuk ka asnjë
person të infektuar me koronavirus. Studimi i popullatës mund të na
sigurojë rezultate mjaft të rëndësishme, të cilat do të ndahen me pas me
virologët”, njoftoi ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re