Në ditët kur të gjithë zgjedhin të pushojnë mes detit, rërës dhe argëtimeve të tjera, turistët e huaj nuk i mungojnë Shqipërisë.Udhëtimet e tyre vijnë si një paketë eksplorimi të qyteteve shqiptare,
elementet kulturore e historike, ndërsa mënyrat sesi ata organizohen
janë individuale.
Një ditë në çdo qytet është mëse e mjaftueshme për turistët që të
shohin atraksionet e vendit tonë. Korça mbetet një prej destinacioneve
më të vizituara të Shqipërisë. Kryesisht turistët nga vende të ndryshme
të Europës zgjedhin që të ndalen në qytetin juglindor për një natë dhe
të vizitojnë “Pazarin e vjetër” apo edhe muzetë.
“Vijmë nga Franca dhe jemi shumë të befasuar, pasi është një vend
shumë i këndshëm. Vizituam liqenin e Ohrit dhe pas Korçës do të
vazhdojmë udhëtimin në jug të Shqipërisë. Kishim një libër guide, ku
tregoheshin disa nga atraksionet e Shqipërisë, dhe vendosëm t’i
vizitojmë. Unë jam së bashku me familjen dhe kemi një makinë kampingu ku
flemë, ndërkohë që na pëlqen të shijojmë ushqimin shqiptar”, thotë një
turiste franceze.
“Është hera e parë që vij këtu, u befasova. Më bëri shumë përshtypje
dhe do të vij përsëri. Do përpiqem të shikoj vende të tjera, pasi është
hera e parë që jam këtu. Sot do të jemi këtu, por herën tjetër do të
shkojmë të shohim Tiranën, ose edhe qytete të tjera”, thotë një tjetër
turiste.
“Ne jemi nga Austria dhe po bëjmë një udhëtim 10-ditor në Shqipëri.
Bëmë një ndalesë të shkurtër në liqenin e Ohrit në Pogradec. Është dita
jonë e katërt në Shqipëri dhe unë kisha lexuar për Korçën, ndaj i
kërkova guidës sonë që të na sillte këtu. Më pas do të shkojmë në
Gjirokastër, e më tej edhe në 2-3 qytete të tjera. Preferojmë që të
akomodohemi në hotele të vegjël, sepse neve na pëlqen të mësojmë më
shumë për kulturën, historinë e Shqipërisë dhe është më mirë në hotele
të vegjël sesa të mëdhenj”, thotë turisti austriak.
Korça po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit
shqiptar, duke regjistruar shifra të larta turistësh jo vetëm në verë,
por në të gjitha stinët./t.ch
