Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Shkodër, pasi një i mitur pesë vjeçar është plagosur rëndë, për shkak të pakujdesisë së prindërve.

I mituri me inicialet S.K., ka rënë nga dritarja e makinës së babait, Hilmi Kurtaj teksa ishte duke udhëtuar.

I mituri nuk është vënë re nga babai që ka rënë dhe ai ka vazhduar rrugën, ndërsa është ndihmuar nga një person tjetër, i cili ka ndaluar e ka marrë dhe e ka dërguar në spital.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe mjeku i spitalit të Shkodrës, i cili tha se gjendja e fëmijës është e rëndë, pasi ka marrë plagë në pjesën e pasme të kokës dhe aktualisht gjendet në reanimacion.

“Gjendja e fëmijës është e rëndë. Fillimisht erdhi pa koshiencë në spital, ishte gjendur nga një qytetar në rrugë. Pa një identitet dhe kishte plagë në pjesën e pasme të kokës, me çrregullime të frymëmarrjes, koshiencë të kompromentuar. Iu dha ndihma e shpejtë dhe pësoi një farë përmirësimi. Nga ekzaminimet do shohim se si do shkojë dhe fëmija është shtruar në reanimacion.

E prunë qytetarët që e kishin gjetur në rrugë, të rrëzuar dhe nuk kishin një informacion për identitetin e fëmijës. Më pas është paraqitur edhe i ati që sipas referimeve të tij thotë që fëmija ka rënë nga dritarja e makinës”, tha mjeku.

Menjëherë sapo fëmija është dërguar në spital, ka mbërritur dhe babi i djalit, i cili ka deklaruar se teksa po udhëtonte i mituri kishte hapur xhamin dhe kishte rënë nga dritarja, por që ai nuk e kishte vënë re.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re