Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, ka deklaruar në emisionin “Byro Politike” në Abc News se ashtu si në vendet e tjera në botës ekspertët kanë vënë re se virusi është dobësuar, gjë e cila sipas saj është dëshmuar edhe në shtimin e rasteve të reja.

“Jemi në një kontroll shumë të mirë të epidemisë. Ne mund të themi me siguri që është e kontrolluar por nuk mund të themi se është në fund.

Ekspertët tanë e kanë vënë re se virusi është dobësuar. Këtë e kanë treguar edhe numrat e personave të shtruar në spitale”, tha Rakacolli.

Ajo u shpreh se rasti i Krujës tregoi rëndësinë e respektimit të distancimit social, por edhe punën e epidemiologëve për të gjurmuar kontaktet e personave me simptoma.

Rasti i Krujës tregon se, nëse nuk zbatohen si duhet rregullat e rekomanduara do të kishim një përmasë të tillë edhe në qytete të tjera. Kruja tregoi edhe se shumë raste u zbuluan për shkak të hetimit epidemiologjik.

“Sistemi shëndetësor arriti ta kontrollojë. Po bëhen depistimet në Krujë edhe në zona të tjera për të shkuar në fazën e rihapjes. Rihapja do të shoqëtohet me një survejancë më të detajuar se në fazën e parë”, u shpreh Rakacolli.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re