Skip to content

Raketat ruse godasin objekte të infrastrukturës në Kiev dhe qytete të tjera

Sulmet ruse goditën disa qytete të Ukrainës të hënën, ndërsa zyrtarët ukrainas thanë se në shënjestër ishin objektet e infrastrukturës.

 

Kryebashkiaku e Kievit, Vitali Klitschko, tha se sulmet ndërprenë furnizimin me energji dhe ujë në disa pjesë të qytetit.

 

Kyrylo Tymoshenko, nga presidenca ukrainase, tha se raketat ruse synuan “instalimet e energjisë elektrike në një numër rajonesh të Ukrainës”.

 

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha se sulmet nuk duhet të justifikohen “duke i quajtur ‘përgjigje’, një referencë e dukshme ndaj pretendimit të Rusisë se Ukraina kreu një sulm kundër flotës ruse të Detit të Zi në brigjet e Krimesë së pushtuar.

 

“Në vend që të luftojë në fushën e betejës, Rusia lufton civilët”, shkroi ministri Kuleba në Twitter. “Rusia e bën këtë sepse ka ende raketa dhe vullnet për të vrarë ukrainasit”, tha ai.

 

Ukraina nuk e ka konfirmuar apo mohuar sulmin ndaj flotës ruse, të cilën Rusia e përmendi të shtunën si arsye për pezullimin e pjesëmarrjes së saj në një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara për të lejuar kalimin e sigurt për anijet që transportojnë drithin nga Ukraina.