Në konferencën e fundvitit, kryeministri Rama u la afat datën 20 janar, kompanive që deklarojnë paga fiktive për të vetërregulluar deklarimet. Në të kundërt, tha kryeministri, do të nisin hetimet për evazion.

“Kemi kaluar një ngjarje shumë të shëmtuar dhe shqetësuese. Pjesa kriminale i takon prokurorisë që po heton në mënyrë intensive. Besoj dhe kam arsye që do të kemi rezultate. Kush e ka bërë, do të përballet me ligjin.

Në këndvështrimin afatmesëm, kjo ngjarje do të quhet edhe “jo çdo e keqe vjen vetëm për keq. Ekspozimi i të dhënave që lidhen me pagat është i papranueshëm, por sot ka një pasqyrë domethënëse në sytë e të gjithë shqiptarëve.

Duke filluar nga mediat, nuk është një situatë kjo e ngjashme që ka qenë më parë, por është një situatë e papranueshme. Askush nuk na thotë dot që po sulmojmë mediat duke kërkuar nga të gjitha kompanitë që japin paga fiktive të rregullojnë deklarimet.

Drejtoria e tatimeve do të nisë një letër për të gjithë tatimpaguesit me deklarime shqetësuese që rezultojnë me deklarime fiktive, duke kërkuar që të vetërregullohen me vetëdeklarimet e reja, deri më 20 janar. Në rast të kundërt, do të ketë hetim të thelluar për evazion, i cili dënohet me burg”, tha Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re