Analistët Ilir Yzeiri dhe Agron Gjekmarkaj kanë folur në “Top Talk” për zgjedhjet e 25 Prillit dhe votën që do të japin shqiptarët.

Teksa kanë filluar të bëhen premtimet e para për qytetarët, Yzeiri dhe Gjekmarkaj kanë treguar nëse më 25 prill, vota do t’i jepet individit apo premtimeve.

Ilir Yzeiri: Pikërisht për këtë do votohet sepse në themel të akteve premtuese është individi, ai që bën premtimin. Prej atij varet realizimi ose kthimi në një akt i premtimit.

Dhe votuesit, të gjithë pa përjashtim do të shikojnë personalitetin, karakterin, dinjitetin, forcën e atij që premton.

Nga kjo pikëpamje më duhet të themi që Lulzim Basha për fat të keq sipas mendimit tim gjithmonë ka treguar në këto vite që nuk është personaliteti i duhur për të premtuar ato që ka ndërmend të bëjë një lider i forcës politike më të madhe në opozitë, nuk ka treguar deri tani pjekuri politike të duhur, nuk ka treguar forcën, vullnetin dhe karakterin, por në krye të Partisë Demokratike, e copëzoi atë forcë politike dhe në krye të Bashkisë së Tiranës kur ishte për 4 vjet ndërtoi vetëm 500 metra rrugë këtu nga Filologjiku në Sauk dhe nuk bëri asnjë punë tjetër.

Për fat të keq, përshtypja më e madhe për Lulzim Bashën është se ai nuk i mban dot premtimet dhe nuk i kryen dot punët deri në fund.

Këtu po i citoj akuzat që i bën një nga kundërshtaret e tij, Jozefina Topalli, e cila thotë që premtimet e Lulzim Bashës jo vetëm që nuk realizohen, por nuk ka asnjë performancë për t’i mbajtur ato.  

Agron Gjekmarkaj: Mbi të gjitha besoj se do jetë një votë gjykimi, votë gjykimi për punët e qeverisë në 8 vite dhe si e tillë do të jetë një votë kundra me ndonjë shumicë, do jetë një votë ndërmjet njeriut mesjanik dhe njeriut që i di të gjitha duke shfaqur një lloj arrogance, herë simpatike dhe herë jo sic është kjo e Edi Ramës dhe njeriut normal sic është Lulzim Basha.

Do jetë një votë që do gjykojë sigurisht programet dhe vërtetësinë e tyre në raport me kohën dhe realitetin në të cilin jetojmë dhe sa i përket Bashës, mendoj se mund ti përmenden disa gjëra pozitive. Nuk e di në kanë qenë premtime, por janë gjëra pozitive që do ta gjykojnë qytetarët, sic është koha kur ai ishte ministër i transportit për rrugën e Kombit, kur ishte ministër i brendshëm për liberalizimin e vizave dhe integrimin në NATO si ministër i jashtëm dhe kryetar i Bashkisë Tiranë që nuk i bëri dëme qytetit. Në këtë kontekst mendoj që do të prevalojnë një votë pro Bashës dhe opozitës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re