Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga të gjithë anëtarët e partisë që të ngrihen mbi interesat personale, në mënyrë që kjo forcë politike të kërkojë të qeverisë vendin dhe për shumë vite.

Edhe pse të gjithë janë koshientë se administrata është fryrë e fryrë në çdo prag zgjedhjesh, Rama tha se PS duhet të mos jetë më një moçal interesash, ku njerëzit aderojnë që të fitojnë një vend pune në shtet.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Na duhet një forcë e re, pasion i ri politik, një kapërcim i vetvetes për ta ngjitur më lart Shqipërinë. Gjithçka që kemi konstatuar apo konstatojmë se nuk shkon duhet korrigjuar sa më parë. PS duhet të bëhet një parti që jeton me aspiratën për t’i sjellë Shqipërisë mirëqenie.

5500 dyert e organizatave tona në të gjithë Shqipërinë duhet të bëhen 5500 dyer të hapura për të gjithë njerëzit, për të kultivuar mendimin dhe aktivizmin politik, vullnetarizmin dhe solidaritetin social. Për të ndarë mendime e kritika në të mirë të komunitetit përkatës. Dhe jo për të marrë e për të dhënë punë nga shteti, për vete dhe për të tjerë.

Riorganizime, sisteme dixhitale, këshilla politikë, vendime, qarkore, për më shumë meritokraci e qytetari, e për më pak burokraci në kohën jozgjedhore. Përmirësimet kanë qenë jo të pamjaftueshme dhe fatkeqësisht rezultati në kohën e duhur është spjeguar po njësoj.

Duke thënë jo po nuk është kollaj të gjesh njerëz të rinj, jo po mos t’i ngarkojmë më njerëzit, jo po nuk të afrohen po s’u dhe punë shteti, jo po po s’ka punë kryetari i organizatës nuk i shkon njeri nga pas.

Jo po te zona ime s’duan gra në këmbë, jo po duam mbështetje nga lart, jo po çna duhet hapim sherre nga poshtë. Jo po se desha të vinte te lagja ime, jo po ai pi kafe te lokali i PD-së, jo po, jo po. Patjetër që nuk është kaq e lehtë.

Të harrosh një qëllim kaq themelor për shëndetin e një partie si e jona, për vlerën e kapitalit njerëzor të një partie politike, për gjykimin e saj nga publiku, siç është transferimi i partisë në një komunitet vlerash, është si të pajtohesh qorazi me kyçjen brenda një rrethi vicioz, dhe të mos kesh sukses afatgjatë. Suksesi afatgjatë është suksesi i partisë përtej çdo individi.

Partia nuk mund të zgjohet vetëm kur vijnë zgjedhjet, dhe as nuk mund të mbahet si moçal interesash, e vërteta e hidhur është se pasqyra e partive shqiptare në pushtet, qysh prej 30 vitesh, në sytë e komuniteteve të Shqipërisë, ngjan si ai filmi koncer në vitin 36.

Një tufë njerëzish që rrethojnë ministrin apo deputetin sapo u shfaqet në territor dhe të gjithë bashkë rrethojnë kryetarin e partisë, dhe më pas ai rreth të privilegjuarish është një nga armiqtë e transformimit jetik që ne na duhet medoemos.

Padyshim që një parti e madhe që nuk fiton zgjedhjet, nuk vë dot në jetë ato për të cilët është krijuar. Partitë janë në radhë të parë hapësira publike, njerëz me angazhime të përbashkëta, që përfshihen në diskutime me interes kombëtar, marrin qëndrime, marrin përgjegjësi, me qëllim që të përparojnë idetë.

Ata që vendosin të angazhohen në një parti, njësohen me vlerat dhe me qëllimet e saj politike jo thjesht në parim, por edhe në veprim. Pranimi nga ana jonë si fakt i kryer dhe i pakthyeshëm i funksionit të PS-së vetëm si makineri elektrorale e bën të pamundur frymën aktive.

 

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re