Kryeministri Edi Rama ka dhënë një deklaratë për mediat menjëherë pasi ka dalë nga Komisioni Hetimor për Inceneratorët, ku tha se shuma prej 430 milionë eurosh nuk ekzistonte sepse këto para do të jepeshin deri në vitin 2047 dhe nuk janë aktualisht në buxhetin e shtetit.

Ndërsa sa i përket maratonës së dëshmisë së tij në Komision ku ishte për 10 orë me rradhë, Rama tha se kishte pasur përpjekje për të hedhur baltë ndaj qeverisë për një diçka që sipas tij nuk ekziston. Ndër të tjera kryeministri tha se do të padiste në gjykatë për shpifje kryetaren e komisionit, Jorida Tabaku menjëherë pasi SPAK të kishte dalë në përfundime të caktuara për hetimet e ndërmarra.

Pyetje: Vlera e 430 milionë eurove , nuk u shpjegua në Komision? Si është e mundur?

Kryeministri Edi Rama: Sepse kjo shumë nuk ekziston. Bëhet fjalë për një shumë që është deri në vitin 2047 që do vazhdojë të paguhet për mbetjet dhe transformimin e tyre në energji pas djegieve. Pra nuk ekziston nuk është sot në arkën e shtetit apo që u është dhënë. U pranua nga zonja Tabaku që nuk mund të koncesiononi të ardhmen. Pra bëhet fjalë për një periduhë përtej moshës time politike dhe asaj të zonjës Tabaku.

Kështu që është vetëm një proces për të hedhur baltë. Sa i përket akuzave nga SPAK është një proces tjetër që ka të bëjë me përgjegjësi individuale që do të thotë se kushdo ka bërë veprime pas shpinës së qeverisë, do mbajnë përgjegjësi individuale. Secili ka punën e tij. Nuk mund të jetohet në një vend ku ka vetëm akuza të pafund. Prandaj po i ndajmë gjërat. Jemi në një fazë që askush nuk e kishte imagjinuar para pak vitesh se do kemi ish ministra të dënuar apo të akuzuar. Këto janë shenjat e para të një transformimi. Sepse ka qenë një prapambetje shumë e thellë dhe kërkohet kurajo për të bërë reformën në drejtësi, gjë që e patëm ne.

Çështjen e grupit kriminal do e sqarojmë në gjykatë. Kjo më vjen pak keq tashmë. Do e padis për shpifje. Më vjen keq që do e bëj prapë sepse nuk ndodh në asnjë vend që një politikane të angazhohet dhe të ngrejë akuzën e një grupi të strukturuar kriminal. Kur të mbarojë hetimi i SPAK-ut, sigurisht që do shkojmë në gjykatë. Si qenka kjo? Kaq shumë muaj akuza dhe të shpëtojë si pa asgjë?

në Facebook, klikoni Join Group

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re