Nënkryetari i Partisë Demokratike, Roland Bejko, ka komentuar përplasjet që ndoqën seancën plenare, ditën e sotme (e hënë, 20 Nëntor), ndërsa thotë që si Berisha edhe Rama sa herë duhet të japin llogari, janë gati të ndezin zjarr.

Në një reagim në Facebook, Bejko shkruan se tani është koha që ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryeministri Edi Rama “të japin llogari para SPAK”.

Më tej, demokrati thekson se për të, Rama dhe Berisha janë bashkë sipas parimit, “njëra dorë lan tjetrën, të dyja lajnë fytyrën e aleancës së kullave me oligarkët e përbashkët”

Reagim i nënkryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Roland Bejko:

Pas zjarrit të ndezuar sot në parlament, Sali Berisha shpreson t’i shpetojë zjarrit qe SPAK ka ndezur në avllinë e tij.

Sa herë Berishës i duhet të përballet me drejtësinë është gati të ndezë zjarr;  sa herë që Edi Ramës i duhet të japë llogari për krimin dhe korrupsionin që i ka mbërthyer qeverinë i duhet nje aleat zjarrvënës.

Tani është koha që Sali Berisha dhe Edi Rama të jepnin llogari para SPAK, por në vend të saj, këta të dy në bashkpunim me njëri-tjetrin na shfaqin spektaklin e radhës.

Asnjëri prej tyre nuk ka interes për llogaridhënie në parlament sepse u dalin zbuluar oligarkët e përbashkët që marrin shumicën e parave nga buxheti i shtetit.

Sot do diskutohej në Parlament buxheti i shtetit, ku dhe si do përdoreshin paratë e shqiptarëve për vitin që vjen. Por Berisha me zjarrin që ndezi nuk u dha mundësi shqiptarëve të dëgjonin mbi abuzimet e mundshme financiare që qeveria e Ramës do bëjë në 2024.

Rama dhe Berisha janë bashkë sipas parimit, “njëra dorë lan tjetrën, të dyja lajnë fytyrën e aleancës së kullave me oligarkët e përbashkët”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re