Skip to content

Rama dhe Veliaj përurojnë shkollën e re “Andrea Stefani”: Tirana e mbyll këtë mandat me 40 shkolla të reja

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

“Andrea Stefani” është shkolla më e re në Tiranë, e cila të hënën do të presë rreth 1 mijë nxënës të Njësisë 11.

 

 

Godina moderne, pjesë e paketës së 12 shkollave të reja të projektuara nga arkitekti I njohur, Stefano Boeri, që hapen këtë vit të ri shkollor në Tiranë, u përurua sot nga Kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi.

 

Kryebashkiaku tha se me 12 shkollat e reja që hapen këtë vit në Tiranë numri i institucioneve arsimore të ndërtuara, disa prej të cilave mbajnë firmën e Stefano Boerit, arrin në 40.

 

“Ndërtimi i shkollave të reja në Tiranë është një projekt që e filluam me Edin në ditën e parë të qeverisë dhe është një nga projektet që është sulmuar më shumë: “Ç’janë këto shkolla që bëhen nga 5 në një dorë?”, thonin. Por, ishte e vetmja mënyrë sepse nëse vazhdonim me ritmin tonë burokratik, të ndërtimit të një shkolle në vit, Tirana nuk e kapte ritmin për 65 vjet kraharuar me sa rritet dhe nevojat që ka për shkolla të reja. Kjo ishte arsyeja përse vendosëm në atë paketë të parë 17 shkolla të reja, kurse me programin e rindërtimit shtuam edhe 23 të tjera. Në total, Tirana do ta mbyllë këtë mandat me 40 shkolla të reja. Kjo është nisma më e rëndësishme për arsimin që pas Luftës së Dytë Botërore,” u shpreh ai.

 

Kryeministri Rama tha se ajo që është bërë në pak kohë me shkollat në Tiranë ishte e paimagjinueshme pak vite më parë.

 

“Më vjen shumë mirë të them që sot kemi një panoramë tërësisht të transformuar të të gjithë infrastrukturës shkollore në kryeqytet. Ajo që tha Erioni është, jo vetëm e vërtetë, por është e rëndësishme për t’u pasur gjithmonë parasysh. Ne e morëm Tiranën në një moment realisht dramatik për arsimin parauniversitar, për shkak të një disbalance shumë të madhe midis rritjes së numrit të popullsisë, rritjes së kërkesave për klasa dhe ritmit absolutisht të papërshtatshëm të ndërtimit të këtyre klasave. Me atë ritëm ne do të na duheshin 65 vjet që të arrinim të përmbushnim të gjitha kërkesat, e në atë kohë dukej absolutisht e pamundur që të imagjinoheshin shkolla me një turn dhe me klasa me më pak se 30 nxënës, që është një standard i domosdoshëm për të pasur të gjitha kushtet e një mësimi normal dhe për t’u dhënë mundësi nxënësve që të jenë të gjithë të përfshirë në procesin mësimor. Sot kjo është e realizuar,” u shpreh Rama, duke shtuar edhe se, “nuk janë ndërtuar thjesht shkolla të reja, por shkolla të standardeve dhe të një niveli projektimi, estetik e realizimi që mund të ishin në çdo kryeqytet të Bashkimit Europian, pa asnjë lloj diskutimi”.

 

Veliaj tha se me këtë shkollë, të gjitha familjet e zonës së Laprakës, Astirit, por jo vetëm, edhe në kufijtë e Kamzës e Kodër Kamzës, nuk do të humbin më kohë për transportin e fëmijëve drejt shkollës.

 

“Një pjesë e madhe e fëmijëve që vinin nga Kamza, nga Kodër-Kamza, “Bregu i Lumit” etj., kalonin minimalisht një orë në ditë duke udhëtuar me furgon për të ardhur në shkollat “Ahmet Gashi”, “28 Nëntori” në Laprakë. Pra, 300 ditë nga dy orë në ditë vajtje-ardhje, fëmijët humbisnin 600 orë. Por, në 600 orë një fëmijë mund të mësojë të kodojë, mund të mësojë një gjuhë të huaj, të pikturojë, apo të praktikojë një sport,” tha ai.

 

Kryetari i bashkisë shtoi se falë këtyre investimeve moderne, në çdo cep të Tiranës është rritur sot vlera e pronës.

 

Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi figurën e gazetarit të ndjerë Andrea Stefani, si model i gazetarisë shqiptare dhe tha se ndihet i nderuar që edhe dy fëmijët e tij do të ulen në bankat e kësaj shkolle.

 

“Jam posaçërisht i lumtur që, përveç autoriteteve, stafit të ri pedagogjik, – mes familjeve dhe fëmijëve që kanë ardhur të regjistrohen e që sot na kapën në këtë aktivitet, – është këtu edhe Enkelejda, së bashku me dy fëmijët, Stefin dhe Danielin, familja e vogël dhe e bukur e Andreas. Jam shumë i lumtur që jeni këtu sot sepse besoj se është, jo vetëm një moment krenarie për babanë tuaj, por është edhe një stoli për qytetin, e cila me gjasë do të prodhojë më shumë gazetarë të mirë, do të prodhojë më shumë të vërteta, që duhet t’i dëgjojmë, do të prodhojë më shumë qytetarë, se është shumë e rëndësishme që të jesh profesionist i mirë, por akoma më e rëndësishme është të jesh njeri i mirë dhe qytetar i mirë. Prandaj, besoj se sfida e gjithë kësaj familjeje të madhe është të prodhojë këtë qytetari,” u shpreh Veliaj.

 

Sipas Veliajt, shumë shpejt do të hapen shkollat “Bashkim Fino”, “Luan Hajdaraga”, “Kiço Blushi”, “Sevasti Qiriazi”, si dhe një seri tjetër kopshtesh – në total 12 shkolla dhe 8 kopshte. Ai tha se çdo shkollë e re do të ketë dhe një administrator që do kujdeset për mirëmbajtjen.

 

Në inaugurimin e kësaj shkolle që do mbajë emrin e gazetarit Andrea Stefani, foli dhe djali i gazetarit, Danieli i cili mes emocioneve për këtë nderim, u shpreh se babai i tij ishte jo vetëm i devotshëm për punën e tij, por edhe një familjar shumë i mirë.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë