Kryeministri Edi Rama mikpriti sot në Tiranë, Presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, me të cilën e nisi axhendën e kësaj vizite, me inspektimin e punimeve për një nga projektet madhore strategjike në kuadrin e rimëkëmbjes dhe modernizimit të hekurudhës shqiptare, atë të ndërtimit të e hekurudhës Durrës – Tiranë me degëzim në aeroportin e Rinasit.

 

 

Vlera totale e zbatimit të këtij projekti është 70 milionë Euro, fonde të cilat janë 50% grant nga Bashkimi Evropian dhe 50% kredi e butë BERZH.

 

Ky segment hekurudhor është tashme pjesë e Zgjatimit të Rrjetit Indikativ TEN – T për hekurudhat në Ballkanin Perëndimor. Ky projekt ishte një nga tre projektet fituese në Samitin e Parisit, të mbajtur në Korrik 2016, ku konkurronin për grante nga BE/ËBIF (Fondi i Investimit për Ballkanin Perëndimor) 6 vende të Ballkanit Perëndimor.

 

 

Kryeministri Rama duke iu përgjigjur interesit të Presidentes së KE Von Der Leyen, lidhur me zhvillimin e qytetit të Durrësit tha se “Durrësi është i zhvilluar në mënyrën më intensive. Nëse marrim parasysh numrin e madh të turistëve që vijnë, bëhet fjalë më tepër të themi për një lloj turizmi masiv, me një numër shumë të madh pushuesish.”

 

 

 

Nga ana e saj, Presidentja e KE, Ursula Von Der Leyen vlerësoi punën e deritanishme në drejtim të ndërtimit të hekurudhës së re.

 

 

Me përfundimin e projektit, koha që do të nevojitet për të udhëtuar nga qendra e Tiranës drejt Aeroportit Nënë Tereza do të jetë rreth 12 minuta me tren ekspres ndërsa nga qendra e Tiranës deri në qendër të Durrësit do të duhen afro 22 minuta.

 

 

Projekti pritet të ndikojë gjithashtu në hapjen e shumë fronteve të reja të punës, si gjatë realizimit të punimeve ndërtimore, ashtu edhe gjatë periudhës së operimit të kësaj linje hekurudhore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re