Pas shtyrjes për të dytin vi radhazi të hapjes së negociatave të anëtarësimit, Shkupi dhe Tirana zyrtare kanë paralajmëruar Bashkimin Europian se po e çon Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut drejt destabilizimit.

Duke folur për “Financial Times” kryeministrat Edi Rama dhe Zoran Zaev kanë paralajmëruar Brukselin se forcat nacionaliste do të forcohen ndjeshëm në të dyja vendet nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk marrin dritën e gjelbër për bisedimet e pranimit në BE deri në vjeshtë.

“Të dyja vendet kanë ndërmarrë reforma të mëdha për të përmbushur standardet e BE, por Franca dhe Holanda e shtynë fillimin e bisedimeve formale të anëtarësimit pavarësisht rekomandimit nga Komisioni Europian”, shkruan Financial Times.

Sipas gazetës prestigjioze europiane, dy udhëheqësit kanë paralajmëruar ministrat e Jashtëm të BE-së të mos ta shtynë sërish vendimin për negociatat e anëtarësimit në tetor.

“Ne nuk kemi nevojë për rikthimin e radikalizmit, nacionalizmit dhe populizmit në vendin tonë”, tha Zaev dhe shtuar se nuk është shumë e rëndësishme nëse vendi i tij merr vendimin nga Këshilli Europian në qershor apo tetor, por se tetori, duhet të jetë data përfundimtare, sepse ka pasur shumë shtyrje.

Kryeministri Rama deklaroi nga ana tjetër se edhe vetë BE-ja do të vuante pasoja të rënda nëse rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk integrohet plotësisht në unionin europian.

“Ballkani Perëndimor është si një organ i trupit të BE-së që po zvarritet dhe gjakoset. Nuk është e mundur që ta mbash për një kohë të gjatë në këtë mënyrë sepse mund të infektohet dhe mund të jetë i rrezikshëm për gjithë trupin “, deklaroi Rama për “Financial Times”

Ai theksoi se nëse vlerësimi pozitiv i Komisionit do të injorohej nga shtetet skeptike përsa i përket zgjerimit, rajoni do të destabilizohej edhe më tej

“Ne nuk kemi nevojë për gjëra të tjera të këqija për të kuptuar se çdo pengesë në këtë proces fuqizon nacionalizmin, fantazitë dhe nxit ëndrrat e dëmshme”, shtoi Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re