Për Partinë Demokratike shkarkimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, është një përpjekje e kryeministrit Rama për t’i veshur Gledis Nanos të gjithë përgjegjësinë për situatën e rendit dhe sigurisë në vend. Nënkryetari i PD Luçiano Boçi ka deklaruar se  vendimi i qeverisë për shkarkimin e numrit 1 të policisë së shtetit tregon se kryeministri qeveris vetëm me ushtarë, veçanërisht në periudhat para zgjedhjeve.

 

LUÇIANO BOÇI

 

NËNKRYETAR, PD

 

 “Arsyeja kryesore është afrimi i zgjedhjeve lokale dhe dëshira e Ramës për të pasur në krye të policise ushtarin e tij të bindur, me qëllim që i gjithe zinxhiri policor të jetë në funksion të grabitjes së votës në favor të PS”

 

Boçi është pozicionuar kundër lëvizjes së re të qeverisë në drejtim të lojërave të fatit duke akuzuar qeverinë se synon të përdorë këtë sektor për pastrimin e parave.

 

“Sektori i bixhozit i legalizimit të këtij sektori i jep atij mundësi të pastrojë milionat e eurove që janë grabitur gjatë kësaj kohe.”

 

Luçiano Boçi është zgjedhur nga Këshilli Kombëtar si nënkryetar i PD dhe kryetar i grupit parlamentar dhe javën e ardhshme emri i tij do të çohet zyrtarisht në parlament duke u mbështetur edhe tek vendimi i gjyqtarit Agron Zhukri.

 

“Unë besoj se deputetet qe janë ligjvënës të çdo lloj krahu e lexojnë mirë ligjin dhe e dinë ta zbatojnë atë dhe statutin e një partie politike. Dhe çdo lexim i vëmendshëm të çon tek ajo që PD propozon drejtuesin e grupit parlamentar që është një nga nënkryetarët dhe këtu nuk ka debate.”

 

Por pavarësisht se PD do të çojë në parlament emrin e Luçiano Boçit si kryetar të grupit parlamentar, kuvendi njeh zyrtarisht në këtë pozicion Enkelejd Alibeajn. Deri më tani në krah të Sali Berishës janë 17 deputetë nga 52 që partia Demokratike fitoi në 25 prill, dhe sfida për të marrë mbështetjen e deputetëve duket sfida më vështirë për Sali Berishën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re