“Nadja e mir o Shkodër që krejt zemrën ma ke hangër…”, është ky reagimi i parë i kryesocialistit pas rezultatit të thellë që po e udhëheq drejt fitores në Shkodër.
Bashkia Shkodër u etiketua si kryefjalë e këtyre zgjedhjeve për pushtetin vendor, ku kryesocialisti shfaqi hapur aspiratën për të fituar bastionin e djathtë, ndonëse nuk fshehu kurrë dyshimet mbi rezultatin.
Por rezultati nuk ka dyshim, pasi qytetarët e Shkodrës kanë vulosur qëndrimin e tyre në përkrahje të alternativës së PS, Benet Beci.
Ky i fundit po “thyen” kundërshtarin, ndërsa kryeson me një diferencë prej më shumë se 10 mijë votash.
Bardh Spahia, kreu në detyrë prej pak më shumë se një viti duket se nuk do të mundet të fitojë shumicën për një tjetër mandat.
Në këtë mënyrë, koalicioni “Bashkë Fitojmë”, aleanca Meta-Berisha dhe as përkrahja e “pakushtëzuar” ndaj figurës së ish kryedemokratit nuk kanë mjaftuar për të fituar shumicën.
Sipas përditësimit më të fundit nga KQZ, Benet Beci ka grumbulluar mbi 30 mijë vota, krahas 20 mijë votave të kundërshtarit.
Ndonëse jo përfundimtar, gjasat janë të pakta që rezultati të ndryshojë, ndaj Shkodra mund të konsiderohet basti i fituar i kryesocialistit Rama.