Skip to content

Rama e ftoi për reflektim, përgjigjet Meta: Dekreti mund të gjykohet dhe nga gjykata e Skraparit, presidenti s’ndalon askënd që të çmendet

“Dekreti mund të gjykohet edhe nga gjykata e Skraparit që nuk ekziston. Presidenti nuk ndalon askënd që të cmendet”.

Kështu ka deklaruar sot kreu i shtetit, Ilir Meta, teksa i është përgjigjur interesit të medias, pyetur për rezolutën me 100 vota të miratuar një ditë më parë nga Kuvendi kundër dekretit të tij që anulon 30 qershorin si datën e vendoreve.

“Presidenti është zgjedhur nga parlamenti jo nga ky, nga një parlament plotësisht legjitim, por Presidenti i takon Republikës dhe Republika i takon vetëm shqiptarëve, besoj se jam shumë i qartë”- tha Meta, pyetur nga media, nëse ka reflektuar sipas mesazhit të dhënë një ditë më parë nga Rama në Kuvend.

Pyetur se kur do të kemi një datë për mbajtjen e zgjedhjeve, Meta ka dhënë këtë përgjigje:

Sa më parë të jetë e mundur, unë do punoj me shumë qetësi dhe me shumë përgjegjësi, dekreti është në fuqi është i detyrueshëm për të gjithë, presidenti mban parasysh me shumë vemendje cdo institucion që shkel ligjet.

Dekreti mund të gjykohet edhe nga gjykata e Skraparit që nuk ekziston dhe presidenti nuk ndalon askënd që të cmendet.

Në fund, Meta ka bërë një thirrje dhe një paralajmërim për këdo që sipas tij ecën në rrugën e papërgjegjshmërisë.

“Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira e të ndershme se vetëm ato sigurojnë çeljen e negociatave.

Dekreti është në fuq, i zbatueshëm, i detyrueshëm për të gjithë, kush dëshiron të ecë në rrugën e paligjshmërisë të vazhdojë është e drejta e tij, presidenti ka të drejtë të bëjë thirrje cdo ditë për reflektim”.

Çfarë pasojash do të kenë ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë?

Ata do të kenë pasojat që kanë ata që do të provokojnë paqen sociale dhe sistemin demokratik në vend.