Në seancën e fundit në Kuvend, e cila u përmbyll dhe me ndryshimet Kushtetuese sa i takon çështjeve zgjedhore, ka kaluar pa zhurmë dhe ligji për zhvillimin rajonal dhe kohezionin, i cili e ndan Shqipërinë ne katër rajone zhvillimi, kufijtë e te cilave përcaktohen me vendim qeverie.

Për Partinë Demokratike, ligji i miratuar pa zhurmë, dobëson pushtetin lokal dhe rrit fuqinë e qeverisë qendrore, pasi merr ne dorën e saj te gjitha fondet e Bashkimit Europian, dhe i shpërndan ato me qëllime pastërtisht elektorale.

E ftuar në studion e lajmeve të Fax news, ish-deputetja e PD-së Dhurata Çupi është shprehur se qytetarët e të gjitha bashkive të vendit, do të jenë të detyruar që të shkojnë deri në 1 nga 4 bashkitë qendër qendër rajoni, për të marrë një shërbim të caktuar.

Sipas saj kjo do ta bëjë edhe më të vështirë sesa tani komunikimin mes pushtetit lokal dhe qytetarëve.

“Në këtë mënyrë qeveria centralizon pushtetin me të emëruarit e saj, duke dëmtuar rëndë interesin publik”, shprehet Çupi.

“Është një ligj që përcakton një ndarje tjetër të territorit, nëse Kushtetuta përcakton që në nivelin vendor të jenë dy nivele në Bashki dhe në qarqe, me këtë ligj tashmë do të jenë tre nivele. Me një ndryshim se nëse drejtimi në njësitë e tjera të qeverisjes vendore bëhet nga të zgjedhur, këto katër rajone janë vullnete të Edi Ramës dhe do të drejtohen prej tij.

Është e pashpjegueshme se pse bëhet në kuptimin ligjor, por është tërësisht në shërbim të këtij kryeministri, me funksion tërësisht elektoral. Nuk do të ketë persona të zgjedhur, do të jenë njerëz që do të emërohen nga Edi Rama, do të menaxhohen të gjitha fondet e BE-së, dhe do të sjellë një interes të pastër elektoral.

Të mos harrojmë se kemi 61 bashki jo efikase, pa asnjë lloj diskutimi se çfarë shërbimi merr qytetari, ku njerëzve iu duhet deri në 4 orë për të marrë shërbimin. Imagjinoni se çfarë do të ndodhë tani me ndarjen në 4 rajone. Gjithçka do të varet nga qeveria, duke hequr dhe parimin e pavarësisë së qeverisjes vendore.

Kemi një nivel të tretë vendor, që nuk është i parashikuar as në Kushtetutë, dhe as një vendim që merret nga vetë qytetarët. Largon shërbimet nga qytetarët. Nuk mund të jenë kryetarët e Bashkive vartës së qeverisë, ne sot kemi bashki thjesht me persona të emëruar, ku e gjithë politika e taksave drejtohet nga qeveria, gjithçka sot drejtohet nga Edi Rama”, u shpreh Çupi.

Në ligjin e kaluar në Kuvend, thuhet se rajonet e zhvillimit nuk janë njësi administrative në kuptimin e legjislacionit në fuqi për vetëqeverisjen vendore, ndërsa qëllimi sipas qeverisë është zhvillimi i qëndrueshem social dhe ekonomik si dhe reduktimi i pabarazive ndërmjet rajoneve.

Por opozita duket të jetë totalisht kundër, ndërsa kjo aferë e re e qeverisë u denoncua dje dhe nga nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili, i cili tha se Rama po e ndan Shqipërinë në katër vilajete, sipas interesave të tij.

“Edi Rama ka vendosur të ndajë Shqipërinë në 4 vilajete. Qeveria ka pushtuar pushtetin lokal. Rajonet i rrëmbejnë kompetencat qarqeve. Iu rrëmbëhet pushteti bashkive dhe qarqeve. Kufijtë e tyre nuk ndryshohen pa pyetur popullatën thuhej në ligj, ndërsa e ndryshoi atë me 69 vota, duke rrëmbyer kompetencat e pushtetit lokal. Projekti është i mjerë dhe i turpshëm. Edi Rama ka thyer ligjet.

Pushtuesit e pushtetit lokal janë një ushtri në shpartallim në ikje e mendojnë që të marrin çfarë të marrin me vete. Nxitimi i “pushtuesve” është shumë i madh. Pushteti lokal është zero, pasi gjithçka është në duar të kryeministrit. Kemi ca përfaqësues kukulla të pushtetit lokal, sepse kompetencat në ato detyra janë zero. Këto ndodhin, vetëm që të grumbullojnë milionat në duart e tyre. Të gjithë ata që votojnë këto ligje, do të përgjigjen për këto faje të rënda ndaj vendit. Është vepruar kundër interesave të popullit”, tha Vasili.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re