Kreu i PD-së Sali Berisha ishte në Dibër ditën e sotme në vijim të javës përmbyllëse të fushatës elektorale të zgjedhjeve të 11 majit.
Berisha me demokratët u shpreh se Rama nuk e njeh Dibrën. Kryedemokrati me ironi tha se Rama i njeh dibranët aq sa socialisti Toni Gogu njeh Hajredin Pashën, që e mbante si hero të dibranëve ndërkohë që ishte pushtuesi turk.
Sakaq, Berisha komentoi dhe ardhjen e Ramës në Dibër 3 ditë më parë, ku krah tij ishte dhe Noizy me mjetin e tij Lamborghini.
Berisha: U përpoqën ta linin Shqipërinë pa opozitë. Ishte rrënimi i idealit tim. Dështuan. Edhe është një nga kapitujt më të ndritur të përpjekjes së shqiptarëve për liri. Ishte akt makabër ndaj një kombi. Ai mision u përmbush por misioni tjetër, është tu kthejmë paratë shqiptarëve. Në rroga, pensione, kujdes shëndetësor, shkolla, punësim. 100 ditët e para çdo shqiptar do e ndjejë.
E dyta një mundësi e re për çdo dibran e dibrane, çdo shqiptar e shqiptare. Në rast se gjej forcë dhe energji të pashtershme, ju të tjerët kini forcë dhe energji më të madhe se unë. Më 11 maj kjo forcë të shndërrohet në forcën e shpëtimit të Shqipërisë, të shpëtimit të Dibrës. Do ta mbyll, Rama erdhi këtu dy herë. Mirëpo si erdhi miq. E kuptova se e njihte Dibrën sa Toni Gogu, Hajredin Pashën. Po miq. I them dy fjalë. Kam patur një mik të shquar, nga më të mençurit që kam takuar, ministër i 7 qeverive britanike kishte krijuar njësinë e parë të qëndresës kundër nazifashizmit, me Abaz Kupin, Xhulian Emeri, bir aristokrati. Po bisedoja një ditë me të. Po i flisja për traditën tonë. Ai vetë kishte mbaruar kolegjin e Kembrixhit. Sali më thotë universiteti më i madh në jetën time ka qenë oda e Dibrës.
Edi Rama e njeh Dibrën si Toni Gogu Hajredin Pashën. Dhe vjen këtu me ato terma banale, herë tjetër sjell Lamborghinin e Noizyt. Nuk di Dibrën ai. Ai nuk e di që burrat e shquar të Dibrës kanë pasur kuaj që kushtonin sa Lamborghini. Ai njeh vetëm xhepin e tij. Ai akt ishte cinik.