Ish deputeti demokrat, Edi Paloka ka reaguar për shoqërimin e Kastriot Islamit në polici për mosmbajtjen e maskës në ambiente publike. Ditën e sotme, ish deputeti i PS u shoqërua nga efektivët për në komisariatin numër 2 pasi nuk pranoi të nxirrte mjetin e identifikimit dhe më pas u la i lirë.

Këtë veprim, Paloka e quan si veprim hakmarrës nga ana e Ramës që për këtë rast përdori policinë.

Kujtojmë se janë bërë thuajse 9 vite nga përjashtimi nga PS i Kastriot Islamit, i cili deklaroi se vendimi u mor kur po kujdesej për nënën e sëmurë.

“Unë jam përjashtuar në një moment që nuk kam kryer asnjë veprim në kundërshtim me statutin e partisë. Ka qenë një votim në Kuvend për kryetarin e KLSH, e unë mungova se kisha nënën sëmurë. Ky ka qenë sebepi formal, le të themi. Por e vërteta ishte ndryshe. Ne kemi qenë një grup prej 5 individësh, por jo 5 vetëm. Ishim 1/3 e kryesisë, 40 % e asamblesë parlamentare, që kishim një mendim ndryshe. E kjo e shqetësonte Ramën, e grupin e tij të ngushtë. E prandaj Rama vendosi që personazhet kryesore të këtij t’i përjashtonte për t’u dhënë një mesazh të tjerëve. Unë isha ndër më pak aktivët e atij grupi, pasi kishte më aktivë se unë”, u shpreh Islami në një intervistë, duke theksuar se përjashtimi nga PS ishte i paracaktuar.

(A.M/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re