Në një editorial për Politico.eu, kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria po bëhet gati për në Bashkimin Europian. Ai thekson se nëse Ballkani Perëndimor nuk mund të shkojë në BE, ndoshta BE mund të vijë tek ne. Rama shprehet se BE duhet të mbështesë rajonin ekonomikisht përmes planit të saj të investimeve në Ballkanin Perëndimor. Ai thekson se Ballkani duhet të përfshihet edhe planet emergjente të Bashkimit Europian për të përballur krizën energjetike që sipas tij rrezikon të zhbëjë progresin që këto vende kanë bërë në vitet e fundit.

Pjesë nga editoriali

18 vite më parë në samitin e vitit 2003 BE-Ballkani Perëndimor në Selanik na u tha se ardhmja e Ballkanit është brenda BE. Be-ja që atëherë ka përsëritur qartë mbështetjen e saj për perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor pasi samitet tani mbahen çdo vit, ku përsëriten të njëjtat deklarata.

Në atë kohë kryefjala e BE ishte “zgjerimi”. Tani mbështetja e qartë e Europës është bërë kontigjente dhe ndoshta grindjet e brendshme të bllokut nënkuptojnë se premtimi për zgjerim duhet të anulohet përkohësisht. Megjithatë ne nuk presim BE-bë. Ne po përgatitemi për të dhe po krijojmë një mundësi për njerëzit tanë.

Besoj se shqiptarët janë ndër komunitetet më pro BE-së në Europë. Kur komunizmi u shemb dhe ne ishim të lirë të zgjidhnim rrugën tonë, ne zgjodhëm Brukselin. Që atëherë, ne kemi bërë gjithçka që na kërkohet për anëtarësim. BE-ja mund të jetë e paaftë për të përmbushur premtimet e saj, por Shqipëria është akoma e përkushtuar ndaj idealeve evropiane, dhe ne me shumë mundësi do t’i qëndrojmë besnike parimeve të saj themeluese, edhe pasi anëtarët e saj i kanë lënë ato prapa.

Brezat tanë të ardhshëm meritojnë të gëzojnë shpërblimet e anëtarësimit, por ne jemi peng i të njëjtave forca historike të ndarjes që BE-ja u krijua për të eliminuar. BE-ja duhet të pranojë se po humb fytyrën me mbrojtësit e saj më të fortë, ndërsa përparimi ynë drejt anëtarësimit bllokohet nga vetëm një veto e çuditshme e Bullgarisë.

E njëjta pasiguri vlen edhe për Maqedoninë e Veriut, e cila ka shkuar aq larg sa ka ndryshuar emrin,  dhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët tani janë më pak të lirë të udhëtojnë se më parë, edhe pse i kanë përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së.

Por nëse Ballkani Perëndimor nuk mund të vijë në BE, ndoshta BE-ja mund të vijë në Ballkanin Perëndimor. Ka hapa konkretë që mund të ndërmerren menjëherë. BE-ja mund të krijojë mekanizma bashkëpunimi që vendosin në mënyrë efikase disa nga përfitimet e dyanshme të anëtarësimit, pa ngritur indinjatën e atyre që kundërshtojnë pranimin tonë.

Për këtë qëllim, BE mund ta mbështesë rajonin ekonomikisht nëpërmjet planit të saj Ekonomik dhe Investimeve për Ballkanin Perëndimor, për të cilin janë projektuar tashmë disa projekte. Por duhet bërë më shumë veçanërisht për të siguruar që rajonin në tranzicionin dixhital dhe të gjelbër të BE-së. Këto tranzicione kërkojnë pjesëmarrje të plotë në ekonomitë evropiane dhe ne rrezikojmë të ngelim prapa.

BE-ja gjithashtu mund të na ndihmojë të ruajmë mendjet tona më të ndritura me programe të përbashkëta të arsimit të lartë dhe integrim në sistemin arsimor të BE-së, në mënyrë që të rinjtë të gjejnë mundësi më të mira.

Vendet e Ballkanit Perëndimor mund të përfshihen gjithashtu në planet emergjente të BE-së, pasi së bashku po përballemi me një krizë potencialisht shkatërruese energjetike që mund të zhbëjë progresin e viteve në rajon. Na duhet të sigurojmë që qytetarët tanë, të mos mbeten të pambrojtur.

Së fundmi, BE mund të ndërmarrë hapa praktikë, në mënyrë që të mund të zbatojmë më shpejt katër liritë e BE-së, lëvizjen e lirë të mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve në tre vendet tona, Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Serbi. Kjo është diçka që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhet të bëjnë nëse ne do t’i bashkohemi tregut të vetëm dhe Banka Botërore ka thënë se duke bërë këtë mund të shtojë deri në 10 përqind të PBB-së së secilit prej vendeve tona.

Ne të tre e quajmë këtë përpjekje “Ballkani i Hapur” dhe është diçka që tashmë e kemi filluar duke zotëruar frymën dhe parimet e Procesit të Berlinit. Shpresojmë të fillojmë lëvizjen e lirë të mallrave në janar 2022 dhe të hapim kufijtë tanë deri në janar 2023. Dhe është e vetëkuptueshme që “Ballkani i Hapur” është i hapur për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor sa herë që ata vendosin të bashkohen.

Kjo ide shkon përpara në axhendën që është përsëritur që nga Selaniku dhe që formon kriteret e prekshme të Procesit të Berlinit, shpallur në vitin 2014. Ne vazhdojmë të mbështesim dhe marrim pjesë në të dy proceset, por nuk duam të presim derisa të tjerët të thonë se ata janë gati.

Ne duam rezultate – për të bërë reforma dhe që njerëzit tanë të marrin përfitimet. Mbështetja për këtë iniciativë do të tregonte se BE-ja është serioze për vetë Procesin e Berlinit dhe ne do të mirëprisnim ndihmën teknike për të siguruar që po përmbushim standardet teknike dhe rregullatore të BE-së.

Shpresojmë që BE dhe miqtë tanë të tjerë, në Londër dhe Uashington, të bashkohen me ne dhe të inkurajojnë të tjerët në rajon të ecin përpara gjithashtu. Kështu ndërtojmë mbështetje këtu dhe tregojmë se jemi gati të jemi më afër Evropës.

Si kombe të Ballkanit Perëndimor, ne duhet të shikojmë nga e ardhmja jonë, jo një e ardhme që nuk materializohet kurrë, por ajo që ne mund ta kontrollojmë. Një qytetar i lindur në 2003 tani është mjaft i rritur për të votuar, për të qenë një anëtar i plotë i komunitetit të tij politik, ndërsa ne jemi ende duke pritur për t’u bashkuar. Gjëja e fundit që duam është që angazhimi ynë 18-vjeçar të shkojë drejt moshës së mesme. 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re