Skip to content

Rama: Ekspertë të huaj për të vlerësuar dëmet e tërmetit

Kryeministri Edi Rama njoftoi se vlerësimi I dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit do të bëhet nga ekspertë të huaj.

 

Në mbledhjen e qeverisë, Rama tha se duke filluar nga sot në terren do të dalin një grup inspektorësh grek së bashku me ata shqiptarë për të vlerësuar të gjitha ndërtesat e dëmtuara.

 

“Ekipet e para të inspektorëve grekë teknikë vijnë sot, për të bërë analizë dëmesh së bashku me ekspertët tanë në mënyrë që mos të marrë kohë të gjatë në raport me numrin e madh të pallateve me numrin e vogël të ekspertëve të ndërtimit. Do të ketë turk, francezë, e një sërë ekipesh të tjera që do të vijnë në mbrëmje ose nesër”

 

Sa I takon vlerësimeve paraprake, Rama deklaroi se në Durrës 12 banesa janë shkatërruar totalisht ndërsa njoftoi dëme të shumta edhe në Tiranë.

 

“Në Durrës janë 701 banesa të dëmtuara, 12 të shkatërruara totalisht, 176 pallate të dëmtuara. Në Tiranë, janë 15 të banesa shkatërruara, 239 banesa të dëmtuara, 8 pallate jashtë funksionit, 61 pallate të dëmtuar rëndë. Në Tiranë janë 3480 persona pa shtëpi. 1 mijë janë të akomoduar në 5 qendra private, të tjerët në çadra dhe tek të afërmit. Në Elbasan janë akomoduar 209 persona, ndërsa në Durrës 625.”

 

Më tej, kreu I qeverisë lëshoi një mesazh edhe për opozitën joparlamentare. Ai I kërkoi opozitës që të bëhet pjesë e Komitetit Kombëtar të Ndërtimit për të ndihmuar në menaxhimin e situatës së vështirë me të cilën po përballet vendi.

 

“Do të ishim të lumtur të ishte edhe opozita qoftë sa i përket aspektit financiar, qofte dhe teknik. nuk kemi çfarë ndajmë në këtë aspekt përveçse nevojën e përbashkët për të bërë më të mirën për njerëzit. Nuk është komision i reformës zgjedhore, as komision dekriminalizmi, as i ndarjes së engjëjve dhe djajve”