Bledi Çuçi është emërimi i Edi Ramës për ministër të Brendshëm, duke zëvendësuar në këtë detyrë Sandër Lleshajn, i cili dha dorëheqjen pas vrásjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një punonjës i Pòlicisë së Shtetit.

Në postimin e tij në rrjetet sociale, Rama thotë se në vendin e Çuçit, i cili derimë tani mbante postimin e ministrit të Bujqësisë do të vendoset deputetja Milva Ekonomi.

Pavarësisht të gjitha emrave që qarkullonin, e ku thuhej me të madhe se zgjedhja e Ramës do të ishte një femër, edhe njëherë tjetër kreu i qeverisë na tregoi se i pëlqejnë riciklimet e personave, dhe rrethi i të zgjedhurve i është ngushtuar ndjeshëm.

Postimi i Ramës: 

Sot do të dërgoj për dekretim nga Presidenti, Bledi Çuçin si ministër të brendshëm dhe Milva Ikonomin si ministre bujqësie; dy bashkëpunëtorë të përkushtuar në çdo detyrë që kanë kryer këto vite, me integritet, profesionalizëm dhe kulturë qytetare e politike të padyshimtë.

KUSH ËSHTË BLEDI ÇUÇI: 

Çuçi përfundoi studimet e larta për Drejtësi në Universitetin e Tiranës dhe në vitin 1998, studimet pasuniversitare (Master) për Menaxhim në Universitetin Hasselt në Belgjikë.

Gjatë viteve 1999 – 2005, Z. Çuçi ka shërbyer në disa funksione drejtuese, si kancelar i Gjykatës së Rrethit Tiranë, si dhe këshilltar i Ministrit, drejtor i Drejtorisë Juridike dhe Integrimit dhe Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Pushtetit Vendor. Gjatë kësaj periudhe, z. Çuçi ka shërbyer si: përfaqësues i qeverisë shqiptare në Komitetin për Demokracinë Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, Strasburg, anëtar i Grupit Negociator të Shqipërisë lidhur me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian (BE) dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të Institutit për Trajnimin e Administratës Publike (ITAP) në Shqipëri.

Gjatë viteve 2006 – 2010, z. Çuçi shërbeu si këshilltar dhe ekspert për disa programe ndërkombëtare në Kosovë dhe Shqipëri, programe të mbështetura nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Departamenti për Zhvillim Ndërkombëtar i Mbretërisë së Bashkuar (DflD), Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe BE.

Çuçi u bë pjesë e strukturave drejtuese të Partisë Socialiste (PS) në vitin 2007, kur u zgjodh anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste dhe kryetar i Komisionit të Asamblesë për Çështjet e Pushtetit Vendor.

Gjatë periudhës prill 2010 – nëntor 2011, z. Çuçi ka qenë Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës për Autonominë Vendore në Shqipëri, ndërsa nga dhjetori 2010 deri në gusht 2013, ai ka shërbyer si ekspert ligjor pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore në Shqipëri e, më pas, si Nën-sekretar për Çështjet Zgjedhore në PS.

Prej shtatorit të vitit 2013 e deri në mars 2017, z. Çuçi ushtroi detyrën si Ministër Shteti për Çështjet Vendore dhe Koordinator Kombëtar kundër Korrupsionit. Në këtë detyrë, ai udhëhoqi punën për përgatitjen dhe zbatimin e Reformës Administrative Territoriale, një nga reformat më të suksesshme të mandatit të parë të qeverisë Rama.

Prej tetorit të vitit 2016, z. Çuçi është i deleguari politik i PS për qarkun Gjirokastër; prej janarit 2018 shërben si Sekretar për Çështjet Zgjedhore dhe anëtar i Kryesisë së PS, ndërsa në korrik 2018, u zgjodh anëtar i Kuvendit të Shqipërisë, duke kryesuar listën e anëtarëve të Kuvendit që përfaqësojnë qarkun Gjirokastër për PS. Në Kuvendin e Shqipërisë, z. Çuçi shërbeu si bashkë-kryetar i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, nën-kryetar i Komisionit për Integrimin Europian dhe anëtar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Çuçi mori detyrën e Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në janar 2019.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re