Ish-kryeministri, Sali Berisha, siç është bërë traditë tanimë prej 10 ditësh, ka dalë t’u flasë simpatizantëve  të tij, të cilët ishin mbledhur poshtë banesës së tij ku ndodhet në arrest shtëpie.

 

Berisha zgjodhi të flasë për një nga temat që është folur edhe nga personat që kanë marrë fjalën në podium, atë të aferës së inceneratoreve.

Ai shprehet se Rama vendosi të bëhet miliarder duke vjedhur me plehrat e qytetarëve nëpër qytetet e vendit, duke e kthyer qeverinë e tij në një organizatë kriminale.

Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më vëllazërore, më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ju, luftëtarëve të pamposhtur të betejës pa kthim.

Ju, të cilët me idealet tuaja, sakrificat, vendosmërinë, e shndërruat këtë rrugë në një burim shprese, burim drite për mbarë shqiptarët.

Ju që me fjalët tuaja çdo natë, e shndërruat këtë rrugë në burim të të vërtetës dhe të kauzës tonë të drejtë.

Ju që me praninë tuaj çdo natë, krijuat polin e pushtetit të qytetarëve, polin e të vërtetës, polin e lirisë, polin e shpresës.

Miqtë e mi, sot ju keni përzgjedhur me mençuri të trajtoni para shqiptarëve, një nga aferat korruptive më të mëdha që Europa ka njohur, të trajtoni atë të cilën e keni quajtur vjedhja e shekullit.

Në meritën e madhe të veprimtarëve të PD, të këshilltarëve të PD të qytetit të Elbasanit, të deputetëve të PD, u zbulua se afera e djegësave ishte afera e një vjedhje të parashikuar në 30 vite prej 1 miliard euro.

Por kjo aferë kishte aspektin e saj më të zi, më dramatik. Veprimtarët e PD, deputetët e saj, faktuan para shqiptarëve dhe botës kjo aferë ishte afera e Edi Ramës. Se në këtë aferë, Edi Rama shndërroi qeverinë e tij në një organizatë kriminalë.

Edi Rama e shndërroi qeverinë e tij në një organizatë kriminale, sepse në praktikat e njohura të mafies botërore, ai vendosi të bëhej miliarder duke vjedhur me plehrat qytetarët e Tiranës, Elbasanit, Fierit, Durrësit, Krujës dhe qyteteve përreth.

Pikërisht me këtë qëllim, Edi Rama do urdhëronte hedhjen poshtë të strategjisë së trajtimit, mbetjeve me landillin, seleksionim, depozitim, riciklim, strategji e financuar nga BE dhe e faktuar si më e mira e kohës.

Do ishte Edi Rama, kreu i organizatës kriminale që do krijonte grupin e zëvendësministrave për të shpallur emergjencën.

Miqtë e mi, nga 11 zëvendësministra, 9 prej tyre hodhën poshtë propozimin.

Pas kësaj, Edi Rama i pandalshëm në veprimtarinë e tij, organizon me të deleguarin e tij Artur Metanin, mbledhjen e dytë me pesë zëvendësministra. Përsëri tre prej tyre e hedhin poshtë propozimin.

Pastaj, Edi Rama mbledh një nga një firmat në kryeministri në kundërshtim me ligjin dhe shpall atë që quhet emergjenca e vjedhjes së shekullit.

Të dashur miq, Edi Rama është kreu suprem i vjedhjes së shekullit.

Ia ka thënë Arben Ahmetaj se mbreti tha Arben Ahmetaj, nuk jam unë, mbreti është ai që detyroi të firmosin 17 firma në 24 orë ministra dhe shkruar ministrave.

Edi Rama është kreu i aferës së vjedhjes së shekullit sepse buxheti i shtetit nuk kishte një qindarkë të përcaktuar dhe ai me shpejtësi përcaktoi fondet që do i vidhte së bashku me Erion Veliajn dhe ministrat e tij.

Edi Rama si kreu i organizatës kriminale, përligji me firmën e tij, të Agaçcit, Metanit, praktikën korruptive të ndaluar me ligj, procedurën më të korruptuar në historinë e Shqipërisë.

Edi Rama organizoi në bashkëvjedhje, Agaçin, Metanin, Ahmetajn, Gjiknurin, Kokën. Ai zgjodhi për inceneratorin e Tiranës të vjedhë kryesisht së bashku me Erion Veliajn.

Ja pra se si Edi Rama e shndërroi qeverinë e tij në një organizatë të mirëfilltë kriminale, ku ministrat, këshilltarët, firmosnin për procedura antiligjore, që lejonin vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re