Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS-së njoftoi se do të ketë ndryshime në aktin e ardhshëm normativ.
Ai zbuloi se familjarët ose prindërit që nuk punojnë dot për shkak se kujdesen për persona me aftësi të veçanta do t’u paguhen sigurimet shoqërore nga shteti. Po ashtu, për ta do të ketë edhe dyfishim shpërblimi.
“Nuk e kemi pasur mundësinë të rrisim pagat sepse ekonomia nuk na e ka lejuar. Tani kjo po ndodh, jo vetëm në sektorin publik, por edhe në atë privat, ku pagat po rriten në mënyrë të ndjeshme. Po ashtu, edhe me pensionet, kemi filluar një proces të pandashëm me rritjen e pensioneve. Në janar u rritën pensionet, ndërsa në janarin që vjen do të jetë dyfish i asaj shifre, në 2028 trefish, në 2029 katërfish dhe kështu me radhë.
E kemi thënë edhe më parë, por tani do ta realizojmë, që kujdestarët, prindërit dhe të afërmit e fëmijëve me aftësi të veçanta, që janë të detyruar të kujdesen për ta, nuk mund të mbeten pa pension nesër për këtë shkak. Do t’ia paguajë shteti detyrimet shoqërore. Kjo do të fillojë nga akti i ardhshëm normativ i qershorit, ashtu sikundër kemi thënë, dhe do të realizojmë dyfishimin e shpërblimit për prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara, për nënat, në radhë të parë,” tha Rama, duke theksuar se mundësitë për ta realizuar më parë nuk kanë qenë të mjaftueshme.
