4 prill Në qytetin e Beratit po marrin jetë një sërë projektesh të fazës së dytë të Programit të Rilindjes Urbane.

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot nga afër projektin e madh të rikualifikimit urban të krejt hapësirës me një vlerë të veçantë historike dhe turistike rreth Muzeut Etnografik, përgjatë rrugës tradicionale “Mihal Komneno”, “Mangalemit”, sheshit të “Selamllëkut” bashkë edhe me zonën ku ndodhet kompleksi fetar me Xhaminë Mbret dhe Teqenë e Helvetive.

Duke vlerësuar punimet që po kryhen në këtë zonë, Rama kërkoi që t’i kushtohet vëmendje edhe detajeve të tjera si ndriçimi dhe gjelbërimi.

“Kjo tani po bën një ndryshim, një përmbysje të madhe. Tani Mangalemi duket sikur ‘derdhet’ poshtë. Meraku im është që gjithë pjesa e brendshme të sistemohet bukur. Kalldrëmet të rregullohen mirë dhe të rehabilitohen shtëpitë private. Është rehabilituar në krahasim me çfarë ishte, por ka nevojë për një ndërhyrje shumë elegante me ndriçimin. Duhet të bëhet një ambient që në mbrëmje të ketë njerëz, të mos jetë hapësirë e vdekur. Rreth xhamisë mbillni pemë e lule që përshkruhen në Kuran”, shtoi Rama.

Kryetari i bashkisë Berat, Ervin Demo theksoi se gjithë infrastruktura elektrike e kësaj zone është tashmë nëntokë.  /m.m//a.a/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re