Duke folur në takimin e organizuar nga “The Economist” në Greqi, kreu i qeverisë Edi Rama, është shprehur se pretendimi grek për tu zgjeruar në detin Jon do të vendoset nga një palë e tretë, duke iu referuar Gjykatave Ndërkombëtare.

“Marrëveshja e parë që ne kemi bërë me Greqinë u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Unë mendoj se me Greqinë jemi duke ecur përpara në rrugën e drejtë, dhe kjo çështje duhet të zgjidhet nga një palë e tretë. Është e drejta e Greqisë që të kërkojë zgjerimin e saj në detin Jon, por kjo është një çështje që duhet të shihet nga Gjykatat Ndërkombëtare”, u shpreh Rama.

”Unë kam një ide, që e kam paraqitur dhe shpresoj që sa më shpejt ta arrijmë këtë. Kur bëhet fjalë për zonat detare ne ta mund ta zgjidhim çështjen me ndihmën e të tjerëve. Nëpërmjet një pale të tretë, apo nëpërmjet gjykatave ndërkombëtare. Kjo mund të jetë e drejtë objektive dhe nuk mund të përdoret nga patriotët.

Kryeministri grek flet për një të drejtë legjitime për të shtrirë kufijtë e vetë detar me 12 milje dhe vetëm kjo shndërrohet në çështje, në rrjetet sociale në Shqipëri dhe në qarqet politike a thua se kryeministri grek duhet tu përgjigjet njerëzve që nuk dinë ç’flasin. Kjo ndez pakënaqësinë”, tha më tej kreu i qeverisë.

Ndërkohë që nuk mungoi as ndërhyrja e ish-ministres së jashtme të Greqisë Dora Bakojanis, e cila i përmendi Ramës ndërhyrjen e Turqisë, që sipas saj ishte bërë shkak për rrëzimin e marrëveshjes së 2009-tës.

”U mërzita kur u rrëzua marrëveshja e 2009-tës, nuk është mirë që në këto marrëveshje të ndërhyjnë palë të treta, e kam fjalën për presidentin e Turqisë Erdogan”, tha Bakojanis, ndërkohë që Rama nxitoi të justifikohej.

Kreu i qeverisë tha se në kohën kur u rrëzua marrëveshja në GJK, ai nuk njihej fare me Erdogan, dhe çështja kishte kaluar në Kushtetuese vetëm për shkak se kishte një debat shumë të madh publik në vend.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re