“Në Vjosë nuk do të lejohet ndërtimi i digave për hidrocentrale”. Kjo deklaratë u bë sot nga kryeministri Edi Rama gjatë një lidhje Skype për emisionin “Wake Up”.

Kreu i qeverisë theksoi se prej kohësh po punohet për projektet konkrete për Parkun Kombëtar të Vjosës, por sipas tij, duhet trajtuar në mënyrë të kujdesshme.

“Së pari ideja e Vjosës Park Kombëtar, kemi qenë ne që e kemi promovuar të parët. Për Parkun Kombëtar të Vjosës kemi kohë që po punojmë me projekte konkrete.

Zona e mbrojtur është një kategorizim që e mbron qartësisht dhe përfundimisht Vjosën nga ndërhyrjet në shtratin e saj.

Pra, që nuk lejon në asnjë mënyrë ndërtimin e digave për hidrocentrale, kjo është e sigurt.

Ndërkohë që koncepti i Parkut Kombëtar është një koncept, i cili nuk mund të shtrihet dot përgjatë gjithë Vjosës duke kapur brenda edhe qytete madje.

Por, duhet trajtuar në mënyrë shumë të kujdesshme në sensin e ndarjes së qartë të zonës së mbrojtur dhe zonës Park Kombëtar, në mënyrë që të kemi mundësi që në pjesën e zonës së mbrojtur pikërisht të stimulojmë agro-turizmin, sepse në një park kombëtar është e pamundur të ndërhysh për agro-turizëm apo aktivitete të tjera”, theksoi Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re