Kryeministri Rama ka prekur çështjen e nxehtë të Teatrit Kombëtar, fatit të godinës pra, duke i qëndruar pozicionit të tij: duhet prishur.

Argumenti ka qenë krahasimor:

“Patjetër si për sheshin, si për stadiumin edhe për teatrin të gjithë ata që e kundërshtojnë sot do të gëzojnë nesër. Ne me shumë dashamirësi nuk do ua kujtojmë asnjëherë që ata ishin kundër.

Përkundrazi, do t’i falënderojmë gjithmonë siç unë shumë sinqerisht i falënderoj edhe ata që na kanë qenë kundërshtarë të betuar për sheshin sepse pa gjithë ato kundërshti, pa gjithë ato akuza, pa gjithë ato akuza, pa gjithë atë shpifje, pa gjithë atë baltë, pa gjithë ato mallkime mbase nuk do ta kisha pasur sot kokën më të forte se sa e kisha kur e nisëm projektin e sheshit ‘Skënderbej’”, u shpreh Rama.

Deklarimi i tij u bë në një ceremoni falënderimit për ata që ideuan dhe punuan për rindërtimin e sheshit “Skënderbej”, i cili u vlerësua në Barcelonë me çmimin evropian për hapësirën publike urbane 2018.

Sipas tij, këtë fat e pret dhe teatrin.

“Një skuadër të ngjashme, një skuadër kombëtare me emigrantë nga Bashkimi Europian kemi ngritur edhe për Teatrin e ri Kombëtar. Por në rast të teatrit nuk janë belgë, janë danezë dhe jam i bindur që edhe projekti i teatrit siç i takon një projekti transformues që është me të vërtetë thellësisht transformues dhe që nuk mund të kalojë përmes kundërshtive, përmes reagimeve, përmes mallkimeve, përmes përbetimeve do të jetë në fund një sukses njësoj si ky i sheshit ‘Skënderbej’, njësoj si ai i stadiumit të ri kombëtar ku skuadrën e kemi me emigrantë italianë”, tha Rama.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re