Një dite pas nisjes së bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, në selinë e qeverisë u ngrit flamuri i Bashkimit Evropian për të ilustruar fazën e re ku ka hyrë tashmë Shqipëria.

 

Kryeministri Edi Rama nuk e ka fshehur se procesi i integrimit nga sot do të jetë më i vështirë dhe shpejtësia e këtij procesi do të varet së pari nga shteti ligjor, dhënia e drejtësisë e lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

“Ngritja e flamurit të Bashkimit Europian në institucionet tona do të thotë ngritje pikërisht e kësaj lufte në një në nivel tjetër, ashtu sikundër do të thotë edhe ngritje e qeverisjes në një nivel të ri në çdo drejtim, por edhe ngritje e frymës kritike në tërësi në një shkallë të re.

 

Kryeministri Rama ka shfrytëzuar momentin për të vlerësuar rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE në të gjithë rrugëtimin e Shqipërisë.

 

 

“Ideja se Shqipëria dhe shqiptarët mund të bëjnë edhe pa ata, mund të nxjerrin dhëmbët e ndryshkur të një sovranizmi katundaresk dhe i hipin kalit të Xhike Qamilit për ta katandisur Shqipërinë në leckën që fshin njollat dhe mëkatet e tyre, është thjesht shëmbëlltyra e marrëzisë ballkanike që bie ndesh me gjithçka Bashkimi Europian mishëron, si vizion i të ardhmes, si frymë lirie, paqeje dhe sigurie dhe si germë e rëndit ligjor të vendit.”

 

Nga ana tjetër shefi i qeverisë vuri theksin tek rëndësia e një marrëdhënie të re me opozitën dhe për këtë qellim në ceremoni ishte ftuar kryetarja e Komisionit të Integrimit Jorida Tabaku, e cila zgjodhi të mos marrë pjesë.

 

 

“Mirëpo, sot për sot, opozita ndodhet në një hendek të madh mes një pjesë të identifikuar me gjithçka bie ndesh me frymën dhe me logjikën e marrëdhënieve të Bashkimit Europian me Shqipërinë, që nga korrupsioni domethënës tek minimi i demokracisë dhe një pjese tjetër, e cila ndryshon nga e para vetëm për faktin se nuk është damkosur si e padëshirueshme për partnerët tanë ndërkombëtarë dhe këta të dytët, edhe kur i fton nuk vijnë sepse kanë frikë nga të parët.”

 

Lideri i mazhorancës ka zgjedhur këtë ceremoni për t’u kërkuar edhe ndjesë qytetarëve shqiptarë.

 

“U kërkoj thellësisht ndjesë për gabimet e mia, ato që di apo që nuk di, duke i siguruar se asnjë prej tyre nuk është një gabim që buron prej qëllimit për të përfituar në kurriz të tjerëve “

 

Hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, është një prej datave më të rëndësishme në rrugëtimin e vendit tonë për t’u bërë anëtar i Bashkimit Europian.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re