Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ngriti pikëpytje se kryeministri Edi Rama mund të jetë arrestuar në Bolonja të Italisë vite më parë. Sipas demokratit, diçka të tillë e deklaroi vetë kryeministri në një intervistë për mediat italiane ditët e fundit. Bylykbashi tha një arrestim i tillë nuk është deklaruar në formularin e dekriminalizimit nga ana e kryeministrit.

 

“Në mes të hallit që ka zënë të gjithë, kur njerëzit janë mbyllur në shtëpi dhe shpesh nuk kanë mundësi të sigurojnë bukën e fëmijëve, apo biznesi u është mbyllur, Rama deklaroi në median italiane se vite më parë është arrestuar në Bolonja sepse kishte kundërshtuar një punonjës policie. ‎Ka një problem të madh me këtë deklarim: është arrestuar nga policia. Kryeministri NUK e ka deklaruar këtë arrestim në formularin e Dekriminalizimit! Ne rast mosdeklarimi ligji dikton se ai humbet të gjitha funksionet publike. Edhe si deputet, edhe si kryeministër! Ligji i Dekriminalizimit i kaluar me shumice te cilesuar nuk pezullohet me akt normativ as ne kohe lufte apo pandemie.”

 

Ai kërkoi nga Edi Rama që të japë një sqarim nëse ka diçka të vërtetë në këtë deklaratë apo është thjesht një propagandë. Nëse është e vërtetë, Oerd Bylykbashi shtoi se organet ligjzbatuese duhet të veprojnë.

 

“Edi Rama duhet të sqarojë urgjentisht nëse ka gënjyer për propagandë se është arrestuar në Bolonja pasi kundërshtoi një punonjës policie, në të kundërt institucionet duhet të nisin menjëherë procedurën e parashikuar nga Ligji i Dekriminalizimit për mosdeklarim në formularin e Dekriminalizimit të arrestimit nga policia.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re