Skip to content

Rama, i bindur për fitoren në Durrës/ “Do më detyroni të shkoj unë ta drejtoj PD-në”

Pas Shkodres, mitingun elektoral përmbyllës kryeministri Edi Rama ka zgjedhur ta bëje në bashkinë e Durrësit. Ai u shpreh me bindje për një fitore të thellë të kryebashkiakes aktuale të Durrësit, Emirjana Sako ndaj kandidatit të “Bashkë Fitojmë”, Igli Cara.

 

“Mijëra e mijëra e mijëra vota diferencë mes Emirjana Sakos dhe atij që nuk po e zëmë fare në gojë se i dimë të gjitha dhe me  këtë pamje kaq të bukur që duket si hapja më e bukur e sezonit turistik. Unë jam i bindur që ditën e Dielë do shikohet shumë më qartë se edhe pala tjetër e pakicës do t’i braktisë në kërkim  të diçkaje tjetër.”

 

Durrësin, kryesocialisti e cilësoi pikë lidhëse të rajonit dhe lokomotivë të transformimit ekonomik për vendin.

 

“Jam i bindur që Durrësi është lokomotiva e tranformimit ekonomik, të Republikës së Shqipërisë. Durrësi është kthyer në qendrën e gravitetit të një hapi tjetër, të një kapitulli tjetër sepse më në fund pas shumë përpjekjësh është vendosur baza dhe ndërkohë janë lidhur gjërat bashkë, me portin e ri, hekurudhën e re. Bëhet një pikë lidhëse për të gjithë hapësirën e rajonit tonë dhe do të rikthehet në historinë e largët, historia e asaj porte kryesore që romakët e përdornin për të hyrë dhe për t’u shtrire në territore të tjera. Pas këtij takimi ne do shkojmë te Amfiteatri dhe do bëjmë lançimin e fazës së tjetër.”

 

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama nuk la pas edhe ironitë për opozitën.

 

“Do më detyroni të shkoj ta drejtoj unë PD, me këto pamje në Durrës ju them gjithë atyre që hezitojnë të vijnë me ne apo jo, shiheni, ka lezet! Njerëz të lirë, që kanë ardhur për kënaqësi”

 

Pas mbylljes së fushatës Kryeministrit Rama, së bashku me Ministren e Kulturës Elva Margariti dhe Emiriana Sakon prezantuan projektin e amfiteatrit, i cili do të ketë impakt në turizëm dhe ekonomi.