Kreu i qeverise, është plotesisht i bindur se në krye të Partisë Socialiste, mund të marrë edhe një mandat të tretë. Për A2 burimet nga takimi me dyert të mbyllura të deputeteve të qarkut të Tiranës, thanë se për ta arritur këtë, kreu i qeverisë ka gati edhe llogaritjet e votave që i duhen.

“Sikur vetëm anëtarësia e PS të jetë në zgjedhje, të mos bëjmë fare fushatë, dalim të parët. Na mjafton trëndafili në logon e PS, por që të kemi mandatin e tretë duhet të sigurojmë mbi 850 mijë vota”, citohet të ketë thënë Rama.

Gjatë takimit janë prezantuar edhe drejtuesit e rinj për Tiranën, Erjon Veliaj, Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati, ndërsa në fokus ka qenë edhe organizimi i partisë, fuqizimi i strukturave dhe përshtatja me situatën e pandemisë.

Më herët Rama ishte në Elbasan, në një takim me kryetarët e bashkive socialiste, prej të cilëve kërkoi përkushtim maksimal në detyrë, vëmendje ndaj qytetarëve, shërbime të përmirësuara dhe komunikim të përditshëm.

Pavarësisht se kryebashkiakët nuk janë nën të njëjtin presion siç deputetët kanë sot, sepse testin e kanë kaluar me 30 qershorin e kaluar, Edi Rama ka kërkuar prej tyre që t’iu japin përgjigje çdo kërkese, pa i kthyer në ankesë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re