Ka mbërritur në Pallatin e Brigadave kancelarja gjermane Angela Merkel, ku është pritur në një ceremoni zyrtare nga kryeministri Edi Rama.

Ky i fundit, pak i shkujdesur e ndoshta edhe i emocionuar nga vizita e rëndësisë së veçantë, harroi masat anticovid, duke i drejtuar dorën kancelares Merkel, por kjo e fundit jo më kot është gjermane.

Ajo u mjaftua me grushtin që trokiti me Ramën dhe ceremonia vazhdoi si normalisht me fotot zyrtare dhe me këndimin e himneve kombëtare.

Tashmë kancelarja dhe Rama do të kenë një takim kokë më kokë mes tyre, për të vazhduar më pas me samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku sërish Merkel pritet që të japë mesazhet e saj.

Në fund të këtij takimi të përbashkët, Merkel do të ketë një konferencë të përbashkët me Ramën, ku do tiu përgjigjen dhe pyetjeve të gazetarëve mbi atë se çfarë është diskutuar. (lexo axhendën e vizitës së Merkel)

Me interes pritet qëndrimi i Merkel sa i takon nismës së Ballkanit të Hapur, pasi shteti që ajo drejtoi për vite me radhë ishte iniciatore e tregut të përbashkët rajonal përmes procesit të Berlinit.

Merkel u prit në aerportin e Rinasit nga ministrja e jashtme Olta Xhaçka, ndërsa eskorta e saj u shoqërua me masa të rrepta sigurie dhe me bllokim rrugësh dhe trafik në Tiranë. (Lexo edhe ketu)

Përpara vizitës në Tiranë Angela Merkel udhëtoi drejt Beogradit, ku u prit në takim nga presidenti Aleksandër Vuçiç, të cilit iu bë e qartë se pa zgjidhjen përfundimtare të çështjes me Kosovën, nuk ka integrim për në BE. Vuçiç nga ana e tij vlerësoi lart rolin e kancelares Merkel në zhvillimet në rajon, dhe tha se qeverisja e saj ishte një garanci e madhe për të gjitha vendet. (Lexo edhe ketu lajmin)

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re