Rama: I kemi hapur rrugën drejtësisë për të pastruar me fshesën e ligjit oborrin e pushtetit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave politike dhe mediatike, duke deklaruar se, sipas tij, “Shqipëria e llumit dhe histerisë mediatike” nuk mund të pengojë progresin e vendit drejt Bashkimit Europian dhe reformat e ndërmarra nga qeveria.

Në podkastin e tij “Flasim”, Rama u ndal veçanërisht te Reforma në Drejtësi, duke theksuar se qeveria e tij ka garantuar pavarësinë e drejtësisë nga politika dhe ka hapur rrugën për hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit, përfshirë edhe brenda radhëve të pushtetit.

“Shqipëria e 700 tenxhereve politike mediatike dhe histerike, nuk e mund dhe nuk e përul dot as në moralin e luftës kundër korrupsionit, Shqipërinë e Reformës në Drejtësi, Shqipërinë e Pavarësimit të Drejtësisë nga Pushteti Politik, Shqipërinë e qeverisur nga forca e pasionit dhe vullnetit shtetndërtues, ku për herë të parë në histori, një parti në pushtet i hap rrugen drejtësisë për të pastruar me fshesën e ligjit edhe oborrin deri dje të ndaluar të pushtetit politik, përfshirë edhe pjesën e saj në atë oborr”,  tha Rama.

Kryeministri u shpreh se qeveria do të vijojë të mbështesë organet e drejtësisë dhe të mbetet, sipas tij, garantja kryesore e Reformës në Drejtësi dhe e shtetit ligjor.

Rama nënvizoi se Shqipëria nuk do të nënshtrohet ndaj përpjekjeve për destabilizim, ndërsa riafirmoi angazhimin e tij dhe të qeverisë për ta çuar vendin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian

Edi Rama: Shqipëria e 700 tenxhereve politike mediatike, ku zien me histeri i gjithë llumi i gjysmë të vërtetave që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, ku linçohen njerëz e familje pa asnjë gajle, për lloj-lloj arsyesh të mosarsyes, nga gjobat e portalexhinjve tek ligësitë e poterexhinjve dhe mllefet e pallavraxhinjve, nuk e mund dhe as nuk e zmbraps dot kurrësesi Shqipërinë e të gjithë kapitujve të hapur të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian; Shqipërinë Turistike me aeroportin kryesor të rajonit, që për të disatin vit edhe këtë vit, ka lënë mbrapa aeroportin historikisht kryesor në Ballkan, atë të Beogradit; Shqipërinë e transformimit digjital dhe të rritjes së qëndrueshme ekonomike, ku paga mesatare ka arritur tanimë në 830 euro; Shqipërinë e transformimit epokal të infrastrukturës, ku kantiere të reja hapen çdo vit, qoftë për arteriet e mëdha të vendit e qoftë për ato të voglat; Shqipërinë e sovranitetit energjetik, e cila brenda këtij mandati të katërt do të jetë ekportuese neto e energjise dhe s’do të paguajë më asnjë qindarkë për të blerë energji jashtë vendit; Shqipërinë e rilindjes së industrisë ushtarake, e cila do të mikpresë Samitin e Natos në 2027 dhe do ta mbrojë atë ditë qiellin me dronet e prodhuar në vendin tonë.

Shqipëria e 700 tenxhereve politike mediatike dhe histerike, nuk e mund dhe nuk e përul dot as në moralin e luftës kundër korrupsionit, Shqipërinë e Reformës në Drejtësi, Shqipërinë e Pavarësimit të Drejtësisë nga Pushteti Politik, Shqipërinë e qeverisur nga forca e pasionit dhe vullnetit shtetndërtues, ku për herë të parë në histori, një parti në pushtet i hap rrugen drejtësisë për të pastruar me fshesën e ligjit edhe oborrin deri dje të ndaluar të pushtetit politik, përfshirë edhe pjesën e saj në atë oborr.