Kryeministrit Edi Rama ka replikuar me Lulzim Bashën ne seancën parlamentare ku po diskutohet projektrezoluta “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”

 

Rama tha se gjatë 8 viteve në krye të PD, Basha nuk ka thënë asnjë fjalë për raportin e Dick Martyt.

 

 

A e dëgjuat? Ka qenë 8 vjet kryetar i Partisë Demokratike. Dëgjuat ndonjë fjalë për Dick Martyn?

Dëgjuat ndonjë fjalë për UÇK-në?

Dëgjuat ndonjë fjalë për Hashim Thacin?

Dëgjuat ndonjë fjalë për poshtërsinë e akuzës për trafik qeniesh njerëzore? Jo.

Dëgjuat vetëm për Millosheviçin dhe për mua. Pjesën për mua duhet ta mirëkuptoni se i kam munguar shumë këtë periudhë.   

Ndërkohë që, këtu kemi ardhur për diçka krejt tjetër, nuk kemi ardhur të bëjmë atë që këta, dhe kur them këta, them të gjithë këta, se nuk dallojnë, kanë bërë sa herë iu është dashur ky parlament dhe Kosova si samar kur nuk kanë pasur ç’ti bëjnë gomarit, cilido qoftë gomari i radhës.

Asnjë fjalë për rezolutën, që është në fakt, fillimi i një beteje të vërtetë, reale dhe jo vazhdimi i një të foluri me vete këtu, në sallën e  një parlamenti, që iu kujtoj, nuk është as Kongresi, as Senati Amerikan, as Parlamenti Europian, as parlamenti i Gjermanisë dhe Francës; është parlamenti i Shqipërisë së vogël, e cila sot është në tryezën e Këshillit të Sigurimit dhe nuk mundet dot ta mbarti dot karagjozllëkun e një politike që për 30 vjet, në emër të patriotizmit dhe nacionalizmit, e ka përdorur Kosovën, i ka përdorur viktimat e spastrimit etnik, i ka përdorur dhimbjet dhe nostalgjitë për llogaritë dhe hesapet e pazarit mizerabël këtu, të Tiranës.

 

 

Kreu i qeverisë shtoi se ishte Basha dhe PD që e e kanë votuar raportin e Dik Martyt në Këshillin e Europës.

 

 

Nuk duhet t’ia vini re, dyshoj se do ketë të tjerë që do ta përmendim dhe do merren seriozisht me raportin e Dick Marty me orkestrimin e një procesi, i cili i dha jetë një Gjykate Speciale bazuar në raportin e Dik Marty dhe sot, po ajo Gjykatë Speciale, prokurorët e të cilës kanë ngritur akuzë, nuk ka asnjë fakt. Zero.

Sepse këta e kanë votuar raportin e Dik Martyt në Këshillin e Europës.

Historia e ka këtë të ketë.

Historia, pikërisht kur ti mendon se e ke lënë pas, të vjen përpara. Njëherë nuk kalon dot oqeanin, se të vjen historia përpara. Pastaj nuk kalon kanalin e Gjilbraltarit se të vjen historia përpara. Ja ku vjen historia përpara; vota Pro e Partisë Demokratike të Shqipërisë për një raport, i cili ka çuar në Hagë jo disa persona, as disa udhëheqës të një lëvizjeje çlirimtare që nuk ishte as një ushtri e organizuar, as një strukturë e ngritur mbi zinxhir komandimi, por ishte një rebelim, siç do thotë Fan Noli, i katundarëve dhe punëtorëve që morën në një moment pushkën dhe thanë: Mjaft është mjaft”.

Jo. Kanë çuar atje Kosovën, kanë çuar atje, përmes Hashim Thacit dhe të tjerëve, por këta burrat që vijnë këtu lepujt nëpër barqe dhe macet nëpër qarqe, këta nuk ia përmendin dot emrin Hashim Thacit. Disa të tjerë këtu e kanë kthyer Hashim Thacin në një tradhtar autokrat të korruptuar që duhet të shkojë ta dënojë sa të ketë fuqi Gjykata speciale sepse paska dashur t’iu ndajë këtyre Kosovën.

Këta Kosovën e ndanë veç kur i çonin naftë asaj makinerie që brenda spastrimit etnik, që sot na kujtohen në vitin 2022 këta ta kthejnë në një këngë me dajre e me daulle këtu, me këta trimat, me këta që i gjuajnë me gurë njëri-tjetrit.

Është shumë e sikletshme, patjetër, sepse sot, të gjithë së bashku duhet të flisnim për këtë dhe duhet të merreshim me këtë sepse është e qartë që kjo nuk është një rezolutë e zakonshme, është rezolutë ndryshe nga të tjerat sepse është fillimi i një rrugë që do shkojë në Strasburg. Kjo rezolutë synon të lëvizë Këshillin e Europës, jo të lëvizë ujërat e kënetës së ndenjur të SHQUP-it.

Kujt t’i flasësh? Këta kujtojnë se kanë atdhe, këta nuk kanë atdhe. Këta nuk kanë as din, as iman sepse kur marrin mikrofonat tjetërsohen, nuk janë njerëzit që janë në rrugë dhe janë njerëz normalë, profesora, doktora e tjetërsohen se thonë “Kështu e ka politika”.

Kështu e ka politika, ngulja thikën kujt të mundesh, sa të mundesh, nga të mundesh madje po e hëngri dhe vendi ynë, nuk ka problem, rëndësi ka që vendi të marrë me vete atë që ti duhet të rrënosh. Kështu i ka mësuar Baca nga i cili kujtojnë se janë ndarë, por flasin njësoj.

E patë si tha?  “Kemi dy rezoluta identike”. Pse i kanë identike? Sepse janë identikë, prandaj.

Tani i ka ndarë Amerika, se janë ca që nuk pyesin për Amerikën dhe janë ca që kanë frikë se mos i ndodh ndonjë gjë Amerikës dhe po i mbështesin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re