Replikat virtuale mes kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Ilir Meta vijojnë ende. Rama i përmendi medaljet, por Meta i ktheu sërisht pyetjen për debatin e OFL duke e pyetur se kur do të realizohet.

“O shoku, ku e lamë debatin për OFL? Në cilën ditë, orë, studio dhe gazetarë? Malet tona më të larta!”, shkroi Meta në rrjete sociale.

Më parë, Rama i tha që të mos e mërzisë Elisën pasi nuk ka kujt t’ia japë medaljen kur të dekorojë Skënderbeun.

“Ilir mos e mërzit Elisën se kur të dekorosh Skënderbeun në kulmin e luftës për liri s’ke kujt tjetër t’ia dorëzosh medaljen, se Lulit i takon ajo e Hamzait, Saliu e ka hallall atë të Ballabanit dhe Monës i bie medalja e e Teutës së Ilirisë që bini edhe kushërinj nga llagapi!”, shkroi Rama.

Paraditen e sotme, duke iu referuar akuzave të Ramës, se presidenti ka takuar persona që janë subjekt i OFL-së, Meta e sfidoi kryeministrin që të japë orën dhe datën, dhe ai do të japë menjëherë më pas dorëheqjen.

”Ky njeri pa Atdhe, pa nder, pa vlera më akuzon sot se kam takuar skutave subjekte të OFL-së. I kërkoj publikisht të bëjë publik emrin, skutën dhe orën kur e kam takuar këtë personazh të botës së kr.imit dhe unë do të jap menjëherë dorëheqjen.

Përndryshe, nëse nuk e bën këtë gjatë punimeve të Asamblesë së Partisë Socialiste, jam i detyruar të merrem çdo ditë me të dhe t’u faktoj shqiptarëve lidhjet e tij të tmerrshme me botën e kr.imit, dëmet ndaj çështjes kombëtare, dhe nuk do t’i ndahem derisa ta përzemë së bashku edhe nga Partia Socialiste.

Çdo ditë do e ftoj në debat televiziv, në çdo studio që do zgjedhë ai, dhe me çdo gazetar që preferon ai”, shkroi Meta në postimin e tij. (A.M/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re