Kryeministri Edi Rama u kërkoi deputetëve të Partisë Socialiste që të vetëpërmbahen në Komisionet Parlamentare në debatet me kundërshtarët politikë.

“Së fundi, një vërejtje që edhe e kuptoj vështirësinë, të gjithë duhet të përmbahen dhe të përmbajnë njëri-tjetrin në Komisione Parlamentare, që puna në sy të publikut me orë të tëra dhe përballë provokatorësh e agjitatorësh të mirëstërvitur, por së fundi edhe pak të lajthitur, për shkak të shpërthimit të bravave e vareve, të degradojë në “kush je ti, e kush jam unë”.

Ka pasur dy apo tre raste, të cilat kanë qenë për të ardhur keq dhe nuk na ndihmojnë fare ta përmirësojmë sado pak pozicionin e politikës në sytë e njerëzve. Ajo që është interesante është se ashtu si në sport edhe në politikë, njerëz të matur kur futen bashkë në një fole bëhen fëmijë.

Një aspekt tjetër që dua të prek është puna në komunitet. Ajo që marrë nga raportet është që nga një pjesë bëhet nga një pjesë nuk bëhet. Duhet të bëhet nga të gjithë.

Duke filluar nga shkurti dua të filloj një cikël dëgjesash me deputetët në komisione, ku ministrat t’i përgjigjen deputetëve për të gjitha ankesat dhe kërkesat, ndërkohë që deputetët nga ana tjetër të njihen me planet dhe hapat që do të hidhen nga qeveria. Në mënyrë që axhenda e punës së çdo ministri të jetë e qartë për komisionet. Nëse do të ketë deputetë të tjerë, jo të komisioneve, të interesuar të marrin pjesë mund të marrin pjesë”, tha Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re