Drejtori i policisë së shtetit Ardi Veliu ka shkarkuar nga detyra shefin e komisariatit të Sarandës Syrja Bello.

Shkak për shkarkimin e Bellos është bërë përplasja me armë që ndodhi pas mesnate, në lokalin Orange në Sarandë, ku mbetën të plagosur dy persona.

Ishte vetë kryeministri Edi Rama, i cili tha dje se i gjithë zinxhiri drejtues i komisariatit të policisë në Sarandë, duhej jo vetëm që të shkarkohej, por edhe të ndiqej penalisht.

Kreu i qeverisë shkoi deri aty, sa tha se biznesmenë të caktuar janë tutorë që tërheqin prej hundësh drejtues të policisë.

”Këtu dua të theksoj një fakt që në vetvete është shumë sfidues për ligjin, për shtetin, për policinë e shtetit. Kush janë këta pronarë lokalesh në bregdet që në mënyrë të hapur shkelin ligjin, tejkalojnë orën policore, krijojnë hapësirë abuzivizmi të atillë, që degjenerojnë në krisma dhe plagosje, në mes të një dynjaje të tërë që është mbledhur aty në lokal?

Ua them unë kush janë këta, ata janë tutorët e policisë së shtetit në ato territore, janë korruptuesit e policisë së shtetit, janë abuzuesit më të mëdhenj me uniformën e policisë së shtetit që tërheqin prej hunde policë dhe shefa komisariatesh, rasti i Sarandës ishte një rast alarmant, e kam ndarë këtë dhe me ministrin e brendshëm.

Ai rast duhet të çonte në ndëshkim penal të të gjithë zinxhirit të komandës në Sarandë. Duhet të çonte në ndëshkim penal, kush e mban përgjegjësinë për sakatimin e njerëzve në 1 të natës”, tha dje Rama, në mbledhjen me drejtuesit e rinj të policisë në nivel qarqesh.

Në vendin e Bellos në krye të komisariatit të Sarandës është vendosur Klodian Kondi, ndërkohë që ndryshime të tjera priten dhe në nivel zëvendësdrejtuesish të policisë.

Ndërkohë që disa ditë më parë, Ardi Veliu firmosi ndryshimet e drejtuesve të policisë në 10 qarqe të vendit, me përjashtim të Tiranës dhe Gjirokastrës. (Lexo lajmin)

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re