Për të parë ecurinë e punimeve për ndërtimin e të parit Auto Moto Park në vendin tonë, kryeministri Edi Rama ishte në Krastë të Elbasanit.

Një vit pasi austriakëve të “Test and Training” iu besua ndërtimi kanë përfunduar rrugët lidhëse me Auto Moto Parkun që shtrihet në një hapësirë prej 550 mijë metra katrorë.

Kur ende nuk ka nisur ndërtimi i pistës ku do të zhvillohen gara me makina njëvendëshe të formula 2,3, 4 dhe  E apo gara nga niveli kombëtar në atë ndërkombëtar të motoçiklizmit, në disiplina të ndryshme si brenda dhe jashtë rruge, kërkesa e Edi Ramës ishte.

“Cirkuiti i Formula Uno,nëse ne do ta kemi gati në 2027 për garën e parë, duhet që ne nga ana jonë ta shohim,jo thjeshtë nga pikepamja teknike dhe nga pikëpamja e parametrave që ka vet Cirkuiti,por edhe nga pikëpamja e peizazhit sepse është një promovim shumë i madh për Shqipërinë. Kështu që, duhet bërë paralelisht një projekt për gjithë sistemimet rreth e rrotull që imagjinohet që janë pjesë e imazhit të kamerave. Që do të thotë që edhe për shtëpitë rreth e rrotull, edhe për peizazhin, për kodrat për të gjitha, për mbjellje pemësh, për konsolidim të imazhit të fasadave, për të krijuar një pamje që të jetë e gjitha një pamje e një vendi tërheqës”, tha Rama.

Përveç garave, pjesë e këtij kompleksi sportiv do të jenë edhe qendra kursesh për drejtimin e mjeteve dhe programe të posaçme për trajnimin e forcave shtetërore si emergjencat civile, të rendit, ndërhyrjes së shpejtë dhe ushtrisë.

Me ndërtimin e tij qeveria beson se nuk do të jetë largët dita që në Shqipëri të zhvillohen edhe gara të Formula 1.

Në këtë parje nga afër të punimeve, në krah të kryeministrit Edi Rama ishte drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit, një ditë pasi për gjashtë orë Damian Gjiknuri u mor në pyetje nga prokurorët e SPAK për aferën korruptive të inceneratorëve./

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re