Kryeministri Edi Rama ka komentuar në krah të ambasadorit të Bashkimit Evropian në BE, Luigi Soreca, rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

Rama tha se edhe integrimi i Shqipërisë është peng i burokracive. Kryeministri u shpreh se mund të vijë edhe dita që vendi ynë ta lërë “Brukselin të vazhdojë me burokracitë e veta”.

“Lufta me burokracinë, lufta me afatet, me të gjitha sfidat që kanë projektet, ku kërkohet harmonizimi i shumë forcave është e përditshme, kudo, në Tiranë, në Bruksel, kudo vetëm në Napoli s’ka burokraci.

Por për momentin ne kemi zgjedhur të bëhemi pjesë e BE sipas Brukselit. Mund të vijë dita që ta ndajmë dhe ne mendjen po bëjmë si Napoli e Brukseli pastaj të vazhdojë me burokracitë e veta”, u shpreh Rama, ndërkohë që ambasadori Soreca e shoqëroi me buzëqeshje këtë deklaratë.

Rama foli nga Kruja, ku u prezantua projekti i Muzeut Etnografik, si edhe grantit të BE për banorët dhe Bonusit të Rijetëzimit të shtëpive të vjetra, në funksion të ekonomisë familjare e turizmit.

“Një mbështetje e re financiare për çdo familje që do të investojë në kthimin e banesës së vjetër tradicionale në një vatër ekonomike”, tha Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re