Kryeministri Rama ka shpotitur rëndë BE-në, por më shumë Hollandën, fill pasi një grup faktmbledhës nga ky shtet u shpreh me rezerva për dhënien e statusit kandidat.

Me ironinë e tij karakteristike, Rama nuk ka treguar aspak “mëshirë” ndaj burokracisë europiane.

“Nuk di të ketë në botë një komision provimesh më mostruoz sesa KE. Vjen për të qeshur kur vijnë delegacione me fakt fajding (fact finding). Vijnë në mëngjes e ikin pasdite për të mbledhur fakte. Më takojnë mua, ca deputetë, takojnë dhe mikun tim të shtrenjtë me të cilin na bashkon, sigurisht, në rrugë të ndryshme dashuria për Holandën, Lulzim Bashën, dhe largohen dhe mbledhin fakte. Çfarë lloj faktesh mund të mblidhen brenda gjysmë dite, ndërkohë KE është një ushtri ekspertësh dhe burokratësh të panumërt që hanë fakte, pijnë fakte, flasin fakte, dhe dëgjojnë vetëm fakte.Si mund të kontestohet apo të thellohet raporti i kësaj ushtrie që është çdo ditë në terren duke bërë fluturime gjysmë ditore për të mbledhur fakte në takime me 5 politikanë. Unë shpresoj që kjo nuk do të kthehet në trashëgimi kulturore të BE-së. Shpresoj shumë dhe jam i bindur se BE këtë lloj praktike nuk do ta përfshijë në praktikat e mira të trashëgimisë kulturore dhe politikë”, tha Rama gjatë një aktiviteti për trashëgiminë kulturore europiane.   

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re