Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi në Elbasan me të rinj të angazhuar në fushën e teknologjisë, ka lëshuar një mesazh me tone ironike ndaj kundërshtarit politik, Sali Berisha, i cili paralelisht po zhvillonte protestën e opozitës para Kryeministrisë.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë u ndal te mënyra se si, sipas tij, shumë shqiptarë reagojnë ndaj humbjes, duke theksuar se veçanërisht burrat e kanë të vështirë të pranojnë dështimin dhe shpesh kërkojnë fajtorë të tjerë.

Rama u shpreh se humbësit e këqij janë ata që refuzojnë të reflektojnë mbi gabimet e tyre dhe krijojnë justifikime, ndërsa humbësit e mirë analizojnë veten dhe përpiqen të përmirësohen për sfidën e radhës.

Ai shtoi se suksesi i përket atyre që guxojnë dhe që dinë të mësojnë edhe nga humbjet.

Deklarata e Ramës vjen në të njëjtën kohë kur kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vijon të kontestojë rezultatet zgjedhore, duke akuzuar mazhorancën për manipulim të votës.

Ndodh shpesh për shkak se përgjithësisht ne dhe sidomos burrat shqiptarë, të jemi humbës shumë të këqij. Humbësi i keq është ai që nuk arrin dot ta pranojë se ka merituar të humbë një ndeshje, një garë, një sfidë dhe insiston në faktin se i thotë imagjinata se i kanë bërë një hile, se dikush tjetër pa meritë i ka marrë atë që u takonte, se këtu nuk u jepet asnjëherë merita atij që i takon, se këtu dikush dha para dhe se dikush tjetër dha fjalën për një krushqi, etj, çka është edhe rruga për të vazhduar të jesh humbës. Ndërkohë që humbësit e mirë janë ata që i kthehen vetes dhe nuk rrinë të gjejnë arsye pas arsyesh duke fantazuar, ose nuk justifikohen me faktin që vërtetë në një rast mund të ketë ndodhur që të kenë humbur padrejtësisht, por motivojnë njëri-tjetrin si skuadër për të bërë gjënë e duhur dhe për të fituar ndeshjen e ardhshme. Kjo botë është e ëndërrimtarëve që guxojnë”, tha mes të tjerash Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re