Pas takimit në Prrenjas, Kryeministri i vendit Edi Rama ka vijuar fushatën elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit edhe në qytetin e Librazhdit.

Në kohën kur presidenti Ilir Meta vendosi për shtyrjen e zgjedhjeve lokale, kreu i qeverisë ripërsëriti sërish me bindje të plotë se zgjedhjet do të mbahen me 30 qershor, ndërsa shtoi se këtë proces e mbështesin edhe miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë.

“Asnjë lëkundje, asnjë lloj dyshimi dhe e dëgjuat vetë nga presidenti i KE, të jeni të sigurtë se të gjithë miqtë tanë janë për zbatimin e ligjit dhe për kryerjen e procesit në 30 qershor.

Mirënjohje për të gjithë ju. Rroftë Librazhdi, rroftë Shqipëria.”-tha ai, ndërsa në takimin me qytetarët e Prrenjasit, krye socialisti foli edhe për rezolutën e votuar sot në Kuvend, ndërsa i bëri edhe një thirrje Metës për të reflektuar sa është në kohë.

Ai foli edhe për bllokimin e rrugës nga simpatizantët e PD-së,  ndërsa shtoi se ato kanë shkelur një nga nenet e Kodit Penal për fushatën elektorale.

“Dëgjoj të thonë vazhdimisht ’97, po cila ‘97? Me kë do vij ’97?

Me këta 100 mjeranë që kishin zënë rrugën atje, që gjuanin me gurë e kapsolla, me ata do ta sjellë ‘97? Ata sot kanë shkelur një nga nenet e kodit penal duke penguar forcërisht fushatën elektorale të një subjekti politik”– shtoi mes tjerash.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re