Akuzat e opozitës ndaj kryeministri Rama, janë cilësuar nga ky i fundit si armë propagandistike për të fituar mbështetje elektorale nga kundërshtarët e tij politik. Nga foltorja e Kuvendit, kryeministri theksoi se akuzat ndaj tij janë të pafaktuara, por përdoren vetëm për qëllime politike.

 

“Ku është saktësisht problemi me reagimin e Shqipërisë ndaj ngjarjes së Banjskës? Për qametin e madh të mendjeve që tash 10 vjet, çfarë nuk lëshon nga goja drejt nesh, edhe në këtë drejtim, halli është që të mos lihet rast i dhënë apo i shpikur për të masakruar mua apo PS, me lloj lloj fantazish, teorish konspiracioni, shpifjesh, deformimesh të fjalëve, fakteve, akuzave. Ja pse në Prishtinë dhe në Tiranë, nga profile publike, politike, mediatike, ose nga profile fallso pa hesap, u nxit menjëherë pas ngjarjes së Banjskës, furia kinste patriotiste e rradhës, kundër meje personalisht si vëllau i Vuçiçit, apo si i kapuri nga Vuçiçi”, tha ai.

 

Rama ka sqaruar edhe deklaratën e tij të shumëkomentuar, ku kërkoi që KFOR të marrë kontrollin e veriut të Kosovës.

 

“Ngatërrojnë siç e ngatërroi parafolësi me diçka tjetër, unë këtu flas për përgjegjësinë absolute për ta mbajtur nën kontroll kufirin gjë që policia e Kosovës nuk e bën dot objektivisht. Ndërkohë që këtë e thonë edhe drejtuesit e lartë, sepse nuk ka forca të mjaftueshme për të kontrolluar situatën e rënduar. Por ja që si gjithnjë, edhe kur unë them të njëjtën gjë, për plot të armatosur në Facebook sa andej e këtej jam po aq Esad Pashë sa edhe kur nuk them të njëjtën gjë për Beogradin. Kjo mua më siguron se kam thënë gjënë e duhur”, tha ai.

 

Ai shtoi se kundërshtarët kërkojnë të kthejnë akuzat në vota, duke mos iu interesuar realisht ajo çfarë ndodh në Kosovë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re