Kreu i qeverise, Edi Rama, me anë të një postimi në Facebook, ka njoftuar se janë rreth 110 000 punonjës që nuk marrin dot mbështetjen e qeverisë prej 40 000 lekësh sepse punëdhënësit nuk kanë kryer “detyrimin ligjor e moral”, duke mos aplikuar në faqen zyrtare të Tatimeve për shpërblimin e tyre. Kreu i qeverisë u tha punëdhënësve se kanë kohë deri në 5 qershor ta bëjnë këtë gjë, përndryshe ndaj tyre do të merret masë.

“Administrata Tatimore ka kryer të gjitha verifikimet për mijëra punonjës – më shumë sesa 109 mijë e 664 punonjësit e shpërblyer deri tani me Paketën e Zgjeruar – të cilëve u takon mbështetja e Qeverisë Shqiptare prej 40.000 lekësh! Ata ende nuk e marrin dot këtë shpërblim, sepse ju nuk keni kryer detyrimin tuaj ligjor e moral për ta, duke mos aplikuar në faqen zyrtare të Tatimeve për shpërblimin e tyre! Kjo është e turpshme, përveçse e dënueshme me ligjin në fuqi. Keni 1 javë kohë, deri në 5 qershor, të plotësoni online Formularin me të dhënat e individëve përfitues në sipërmarrjet tuaj, në të kundërt penalizimi për mosaplikim për cenimin e hapur të së drejtës së punonjësve tuaj, do të jetë i pashmangshëm”, shkruan Rama.

Më pas, ai iu drejtua punonjësve: “Keqardhje për këtë vonesë të krijuar nga punëdhënësit tuaj, e cila është toleruar deri këtu duke u shkruar e rishkruar atyre që ta përmbushin detyrimin, pa vepruar me gjobat përkatëse! Por, kjo situatë do të marrë fund brenda datës 5 qershor dhe në rast se tatimpaguesi ku ju jeni/keni qenë të punësuar, nuk do të aplikojë deri në 5 qershor për ju, pagesa për ndihmën financiare do të kryhet menjëherë në llogarinë tuaj, në mënyrë automatike dhe punëdhënësi përkatës do të ndëshkohet”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re