Pavarësisht se tashmë nuk ka imunitetit, Sali Berisha shprehet i vendosur të mos tërhiqet nga aksioni politik. Në fjalën e tij në mbledhjen e Kryesisë, ish-kryeministri iu drejtua anëtarëve të kryesisë, duke thënë se duhet të faktojmë se mund të bëjmë cdo gjë, ndërsa theksoi se rruga e vetme është përballja me Edi Ramën.

Ai përsëriti thirrjen e tij se qëndresa që kanë nisur duhet të jetë pa kthim, pasi siç u shpreh ai “janë shpresa e shqiptarëve”.

“Në këtë kontekst, duhet ta konceptojmë qëndresën tonë, betejën tonë pa kthim, para së gjithash si një betejë të atyre që guxojnë dhe ju garantoj se ata që guxojnë janë shumë herë më shumë nga sa mendojmë ne, nga sa mendojnë drejtuesit tanë.

Si mund t’i identifikojmë dhe t’i gjejmë këta ne? Thjesht, të bëhemi zëdhënës të kërkesave dhe sugjerimeve të tyre.

Ata kanë guximin dhe guximi u bën të mundur atyre të kenë projekte për betejë. U bën të mundur të angazhohen në betejë kundër regjimit.

Kjo është rruga e vetme që ne të shkrijmë akullin e frikës, që ne të rritemi dhe të shndërrohemi siç jemi sot. Sot ne jemi shpresa e vetme për shqiptarët.

Por me një lëvizje të fuqishme në mbarë vendin, ju garantoj se nuk mbetemi forca e vetme e shpresës, por forca më e sigurt e fitores për shqiptarët.

Kjo kërkon gjithashtu që secili nga ju, të dashur anëtarë të kryesisë, të shumëfishojë përpjekjet tuaja, të mendojë çdo ditë se çfarë do t’i bëjmë sot armikut tonë në pushtet.

Ai, faktoi se mund të bëjë gjithçka dhe ne duhet të faktojmë se mund t’i bëjmë çdo gjë. Rruga është vetëm një: përballja, përballja, përballja me të”, tha Berisha.

Ndërsa për kryeministri Edi Rama, deklaroi se ai dhe regjimi i tij nuk janë të qetë. Për kreun e qeverisë u shpreh se “jeton në frikë dhe terror”.

“Askush mos mendojë se Edi Rama dhe regjimi i tij është i qetë. Ai jeton në terror dhe frikë të madhe. Frika dhe vetëm frika bën që ai të urdhërojë një zinxhir aktesh dhe veprimesh të cilat as Lukashenko nuk do mund t’i realizonte.

Gjatë këtyre 2-3 javëve u zhvillua një proces unik, i veçante në Shqipëri në të cilin Edi Rama urdhëroi institucionet e drejtësisë dhe Parlamentin të kalojnë nga një shkelje e rëndë në një shkelje më të rëndë të kushtetutës.

Për të realizuar aktin e sotëm, ai e realizonte pa asnjë lloj pengese të pakapërcyeshme, sepse kishte kudo kontrollin dhe shumicën. Por përsëri atij nuk i duhej rruga legale, sepse mund ti këputej në mes. Kurrë nuk ka ndodhur që një deputeti ti hiqet e drejta për të lëvizur jashtë shtetit me vendim gjykate”, tha ndër të tjera ish-kryeministri.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re