Ish-zv.kryeministri i vendit, Arben Ahmetaj, prej muajsh në arrati theu heshtjen në një intervistë për gazetarin Çim Peka. Ahmetaj tha se ai është nuk është arratisur nga vendi dhe as nuk e ka ndihmuar njeri që të largohet, por ka qenë me familjen e tij jashtë Shqipërisë në kohën që është kërkuar heqja e imunitetit të tij.

“Dua të sqaroj të gjithë ata që janë të interesuar, unë nuk jam arratisur nga Shqipëria, siç dikush që tenton të bëjë të diturin ose të mirinformuarin, pretendon. As më ka lejuar njeri të largohem, as më ka ndihmuar njeri të largohem. Në momentin që unë kam mësuar që kërkohej imuniteti im, ka qenë data 8 ose 9 korrik. Unë kam qenë me familjen jashtë Shqipërisë për pushime. Dua të sqaroj shqiptarët se unë kam qenë i përgatitur për ekstremitetin që në momentet që filloi. Shqiptarët mendojnë se ka filluar me mercenarin që doli para SPAK, me të paguarin nga inceneratorët që dolën para SPAK. Jo, ka filluar shumë më herët”, – deklaroi Ahmetaj.

I pyetur nëse kishte informacion se do të kishte një kërkesë për heqjen e imunitetit ndaj tij, Ahmetaj është përgjigjur “Zero”. “Zero! Unë kam pasur besim te vetja ime, por jo te drejtësia. Unë e di se çfarë kam bërë. Që të kërkosh imunitetin e një deputeti, ish-ministri, ish-zv.kryeministri siç ka ndodhur në 30 vite në Shqipëri, nuk është më një çudi apo surprizë. Të ndodhë kjo në kuadrin e drejtësisë së re, ku në krye të tre muajve të kërkohet arrestim i ishzv.kryeministrit…”, – u shpreh ish-ministri i Financave.

HETIMET

Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj përmendi se nëse SPAK do të hetojë siç duhet dhe do të ndjekë paratë, shqiptarët do të llahtarisen se deri ku shkon afera e inceneratorëve. “Po qe se do të bëhet, dhe i sfidoj. Po qe se do të bëhej një hetim i vërtetë për inceneratorin e Tiranës, shqiptarët nuk do të habiten, por do të llahtarisen se deri ku do të shkojë. Po sigurisht që SPAK nuk e bën këtë. Unë thashë, ‘ndiq paratë’. Unë isha i akuzuar nga opinioni publik pra, në populizmin penal shqiptar, unë po goditesha me gurë nga dritaret e ‘Top Channel’, apo nga të gjitha mediat e paguara nga inceneratorët. Mercenarë, vullnetarë, të paguar, të sponsorizuar, të gjithë. Unë habitem se si, kur del nëpër letra se je paguar nga inceneratorët dhe të dalësh të bësh sikur po lufton korrupsioni është çmenduri. Megjithatë, ky është një diskutim dhe kapitull tjetër. Pra, po të hetohet Tirana, shqiptarët nuk do të habiten, por të llahtarisen. Do të shkojë shumë lart”, – deklaroi Ahmetaj.

AFERA

Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj foli në lidhje me njohjen me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton, dy biznesmenë të shpallur në kërkim për aferën me inceneratorët. Ahmetaj në një intervistë për “Syri TV” është shprehur se Mërtirin e njeh dhe e ka mik, ndërsa tha se historia mes tyre është e vërtetësisë sesi ndahet miqësia nga interesi publik. Ndër të tjera, ai theksoi se nuk ka emrin në hotele për arsye familjare, ndaj pagesat janë bërë nga biznesmeni. Nga ana tjetër, për Zoton tha se nuk e njeh personalisht, por vetëm në distancë.

“Po, e kam njohur Mirel Mërtirin dhe dua të sqaroj se kur unë e kam njohur në prezencë nga afër e kishte filluar punën, madje le të verifikohet kur e ka filluar punën në Fier. Ka pas filluar punë se u hap që paskam pasur një SMS me Baftjar Zeqon. Nuk kam pirë kafe me Zeqon për të ndihmuar kënd. Nuk kam ndërmjetësuar me askënd. Besoj se ata ish-kryebashkiakë që janë përmendur aty mund të jenë pyetur dhe kanë përgjigjet e tyre. Doni të dini si e ka fituar Fierin, pyesni Bafjarin. Kurrë nuk ka përfshirë tendera publikë nga institucionet që kam drejtuar unë. Arsyet kanë qenë familjare të miat pse nuk janë vënë emrin e mi në hotele. Unë i kam paguar Mirel Mërtirit… Klodian Zoton e kam njohur në distancë, Mirelin po, e kam pasur shok. Historia mes meje dhe tij është e vërtetësisë sesi ndahet miqësia nga interesi publik. Nuk gjykoj dot kënd nëse i ka bërë gjërat mirë ose keq. Të qenit mik, shok, nuk do të thotë se meqë ai punon aty, ti mbake përgjegjësi se çfarë ndodh me ato punë publike dhe atë njeri”, – tha Ahmetaj.

DOSJA

Arben Ahmetaj bëri me dije se janë teori konspirative zërat se i ka dorëzuar Ilir Metës dhe ambasadës amerikane dosjen e inceneratorëve, dhe tha se është përdorur nga kryeministri Edi Rama për të gjetur një ‘kokë turku’ për t’i vënë tapën çështjes. Ahmetaj deklaroi se kur e dëgjoi një gjë të tillë, e mori me shaka duke thënë se dosja ishte publike pasi ishte pjesë e një hetimi të KLSH.

“Teoria e konspiracionit se unë kam dorëzuar dosjen te Ilir Meta dhe Ambasada Amerikane është furnizuar nga Erion Veliaj, Belinda Balluku dhe nuk e besoj se Edi Rama e ka besuar se është më i zgjuar se kaq. Këtë e ka besuar Lefter Koka dhe Mirel Mërtiri, dosja dihet publikisht ka qenë pjesë e hetimit të KLSH, por kjo u përdor si justifikim për të gjetur kokën e turkut. Koka e turkut ishte një njeri mik me Mirel Mërtirin. Por ky njeri nuk ka marrë pjesë në procedura, nuk ka firmosur. Ç’na duhet se nuk ka firmosur? Ne do ta ndërtojmë goditjen e këtij njeriu dalëngadalë, në mënyrë që nxjerrja në pritë politike të kthehet në vrasje juridike.

Dhe cilat janë hapat? Filloi gjithë tymnaja ka dhënë apo jo dosjen. Unë nuk e mora seriozisht. Rama nuk e ka besuar, por e ka përdorur kundër meje, për t’i vënë tapë kësaj çështjeje”, – tha Ahmetaj.

KËRCËNIMET

Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj zbuloi se është kërcënuar tri herë nga persona të panjohur, e para nga një telefonatë nga burgu dhe dy raste të tjera drejtpërsëdrejti. Ahmetaj tha se kërcënimet kanë qenë të frymëzuara politikisht. “Jam kërcënuar tri herë nga njerëz të panjohur. Njëherë në telefon nga burgu, dy herë drejtpërsëdrejti. Kur kërcënimi arriti te gruaja që mbante fëmijën tim, nuk e lashë më të më ikte me demek si trim i madh. Hera e fundit ka qenë te rrethi te liqeni, ku kisha shtëpinë me qira. Kanë qenë të frymëzuara politikisht, se të thotë kryeministrit të vejë në të sëmës ose të thotë se po të isha prokuror të isha me keq, kush do më kërcënojë mua”, – u shpreh Arben Ahmetaj.

SHKARKIMI

Arben Ahmetaj foli edhe për shkarkimin e Damian e Gjiknurit si sekretar i përgjithshëm nga Edi Rama për arsye se ish-sekretari e mbrojti dhe për kërcënimin që i bëri ky i fundit kur do të shkarkohej. Damian Gjiknuri, një nga arsyet se pse nuk është sekretar i përgjithshëm është se i ka thënë Edi Ramës, që ajo që po ndodh me Ahmetaj është shkelje procedurale nga ana e SPAK, së dyti është e gabuar. Kjo është arsye se pse ka ikur nga sekretari i përgjithshëm.

“Shkarkimi im ishte i përgatitur, sepse unë e pash atmosferën rreth meje, e kjo ishte arsyeja se pse unë i kërkova të largohesha kryeministrit. Në qershor u bë kongres i PS, temat ishin rindërtimi dhe pandemia, unë isha i pari që menaxhova rindërtimin dhe i dyti që menaxhoi COVID-in dhe me shkak nuk u lejova të flisja. Unë e kuptoja shumë mirë. Praktikisht me ish-miqtë e mia kam folur dua të largohem pa dëmtuar kënd, ai nuk më la të largohesha, dhe ka ardhur kërcënimi i parë në mbledhje të kryesisë, në 24 korrik është thënë që unë largohesha se kam prishur dhe dëmtuar unitetin e PS. Qesharake! Në mbledhje të kryesisë tha, ‘do të shkoj në të sëmës ai që prish unitetin’, kërcënimi i parë. Kam qenë në dilemë, se unë jam impulsiv, por mendova që nuk duhet të flisja edhe për shkak të moshës. Unë do të veja në të sëmës dhe ky do të më çonte mua. Në vazhdim u mor vesh që unë nuk kisha pjesë e dosjes së Elbasanit dhe Fierit dhe u sajua pjesa e mercenarit”, – shprehet Ahmetaj.

AKUZAT

Sipas tij, Edi Rama ka dhënë tokën, ajrin, detin dhe leje duke ngrënë qofte te veranda. “Unë nuk kam ngrënë qofte të veranda dhe pastaj i kam dhënë tokën, detin, ajrin, lejen atje, jo një njeriu, por shumë. Gati 10- 15 veta. Unë jam ai që po, e kam pirë kafen me Mirelin, por letra për interesin publik ka qenë atje e zeza mbi të bardhë. Unë vij këtu si një njeri që pas 3 muajsh i është kërkuar të arrestohet. Unë jam një njeri që jam persekutuar familjarisht dhe politikisht. Kam një jetë që punoj për të mos firmosur gjëra që cenojnë integritetin zyrtar, timin personal dhe të familjes sime. Ia arriti Edi Rama ta bëjë këtë bashkë me Robespierin. Më nxori në pritë. Të të jap një shembull. Të kërkoj ndjesë se të duket se të sulmoj, por nuk të sulmoj. Unë kam shumë respekt për ministrin e Drejtësisë, aktual. Doli me dinjitet ashtu siç duhej dhe tha ‘policët e burgut të Peqinit nuk duhet të jenë në burg’. E drejtë, po Ben Ahmetaj pse duhet të jetë në burg. Pse nuk e ngriti zërin ministri. Pse? Pse duhet të jetë? E lexove dosjen 320 faqe. Po dosjen e kompanisë amerikane nga më prestigjiozet, 480 faqe. Po të investigohet Tirana, sqarohet pazëlli. Pse SPAK nuk u shkon pas parave, cila është arsyeja që merret me pllaka banjash e kuzhinë. Pse, sepse zbulohet kush i merr këto para”, – tha Ahmetaj.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re