Skip to content

“Rama ka veshët e shurdhër dhe verbëri për pushtet”, studenti i Mjekësisë tregon se si kordinohen për protestat: Nuk do të ndalemi!

Capture 608

“Ne e dimë se veshët e kryeministrit janë të shurdhër dhe verbëria e tij për pushtet është e madhe, pasi do karrigen, por ne nuk do të ndalemi”. Kështu është shprehur një student i Mjekësisë për gazetaren e News24, Xhensila Kodra, gjatë protestës së zhvilluar para Ministrisë së Arsimit.

Studenti u bëri thirrje pedagogëve dhe studentëve të tjerë t’i bashkohen lëvizjes, duke theksuar se askush nuk detyrohet të marrë pjesë në protestë, por vendimi për vijimin e saj merret përmes votimit. “Ne mirëpresim cilindo nga pedagogët dhe studentët që të na bashkohen në këtë protestë. Nuk marrim asnjë me zor, por i ftojmë të na bashkohen. Ne mblidhemi me shumicë votash dhe më pas vendoset se kur do të mblidhemi”, u shpreh ai.

Studenti theksoi se bojkoti në Fakultetin e Mjekësisë është i plotë, duke deklaruar se në auditorë nuk ka studentë. Ai shpjegoi gjithashtu mënyrën se si koordinohet lëvizja studentore, përmes një senati të brendshëm dhe kontakteve me përfaqësuesit e universiteteve të tjera. “Ne kemi një senat të brendshëm që merr vendime për pjesën e brendshme, për studentët e Mjekësisë. Këta senatorë kontaktojnë me senatorët e universiteteve të tjera, për pikat e takimit. Ne mundohemi të jemi në një zë të përbashkët”, deklaroi studenti. Protestat studentore vijojnë prej më shumë se dy javësh, ndërsa të rinjtë kanë intensifikuar thirrjet kundër qeverisë dhe kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.