Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama ka folur para të rinjve në Prrenjas ku ka sqaruar arsyen përse këmbëngul që të ecin para dhe përse kërkojnë mandatin e tretë.

Rama tha se beson që dielli i Shqipërisë mund të bëhet i bukur për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për turistët e huaj.

“Nuk është mirë që pavarësisht nevojës për të qenë të gjithë së bashku, të harrojmë se nuk jemi ende jashtë tunelit të pandemisë, se drita që po shohim në fund të tunelit po vjen duke u zmadhuar por nuk kemi dalë ende nga tuneli.

Sot është një ditë e shënuar për besimtarët myslimanë dhe ju uroj me gjithë zemër që të kenë një muaj të madhërishëm me një agjërim të pranuar. Para se të vija këtu vizitova xhaminë e Et’hem Beut, një perlë që është kthyer në shkëlqimin e dikurshëm dhe janë zbuluar të gjitha ato që fshiheshin në shtresat e kohës.

Arsyeja përse jam këtu sot dhe pse këmbëngul që duhet të vazhdojmë përpara është se besoj që dielli i Shqipërisë nuk është i bukur vetëm për turistët e huaj, por mund të bëhet i bukur për të gjithë shqiptarët. Pasi ne po kalojmë hendekun e madh, goditja e tmerrshme e tërmetit dhe pandemisë, është koha për të besuar jo duke parë ëndrra në gjumë por realitetin e fakteve.

Është koha për të parë se sa shumë ka akoma për të bërë e fituar duke vazhduar të bëjmë gjënë e duhur. Është koha që gjithsecili ta kthejë kokën pas dhe të shikojë nga jemi nisur për të kuptuar ku jemi dhe për të besuar fort se rruga që kemi bërë nuk është e mjaftueshme për tu ndalur por garanci se është rruga e drejtë.

Shqipëria do të ndryshojë njëherë e përgjithmonë dhe do të gjendet në një nivel tjetër”, deklaroi Rama!